Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Xhemajl Mustafa’ në Podujevë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë kanë bërë me dije se 17-vjeçari është dërguar atje me plagë të cilat dyshohet t’i jenë shkaktuar nga arma e zjarrit.
Pas dhënies së ndihmës së parë dhe për shkak të natyrës së lëndimeve, i mituri është transportuar me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Aktualisht gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe ai po vazhdon trajtimin e mëtutjeshëm mjekësor nën përkujdesjen e stafit mjekësor.
Sinjali mëson se lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, dy gëzhoja dhe disa fishekë.
Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar vëllai i viktimës, i cili ka deklaruar se 17-vjeçari gjatë ditës së djeshme është kërcënuar përmes telefonit dhe më pas bashkë kanë shkuar te shtëpia e të dyshuarve për të marrë vesh se cila është arsyeja e veprimeve të tyre.
E atje ata kishin pasur një konflikt verbal me njërin prej të dyshuarve, e që më pas situata ka eskaluar në sulm fizik.
Bazuar në dëshminë e vëllait të viktimës, njëri nga të dyshuarit ka goditur të miturin me kondak të armës, ndërsa nga ballkoni i shtëpisë kanë ardhur disa të shtëna të cilat i shkrepi i dyshuari tjetër, e prej ku ka mbetur i plagosur 17-vjeçari.
Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarve, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të substancës së dyshuar narkotike, ndërsa dy vëllezërit që dyshohen për ngjarjen e rëndë janë larguar në drejtim të panjohur.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’ dhe veprimet tjera ligjore do merren posa të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarve.