Depresioni shpeshherë është cilësuar si një faktor serioz që mund të drejtojë njeriun drejt vetëvrasjes. Ndjenjat e dëshpërimit, zemërimit, e presionit jo rrallëherë i kanë shtyrë të rinjtë të tentojnë të kryejnë këtë akt.
Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur të dielën në Mitrovicë, ku një grua ka konsumuar medikamente dhe për pasojë iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Burimet e Sinjalit nga Emergjenca kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një grua 26-vjeçare, e cila është pranuar në këtë qendër pasi kishte marrë dhjetëra tableta të qetësimit.
Posa Policia është njoftuar për rastin, një patrullë policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është kuptuar se viktima ka qenë në gjendje të rënduar emocionale, si pasojë e presionit nga burri, vjehrri e kunati.
Me t’u mbledhur informacionet e para, për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit dhe nisjen e hetimeve.
Kujtojmë se rastet e tilla janë shpeshtuar shumë dhe kjo po cilësohet si një dukuri mjaft shqetësuese.