“Pala kosovare nuk i ka refuzuar kërkesat, por përshtypja është se nuk po nxiton”, Lajçak ka raportuar te Borrelli dhe shtetet anëtare të BE’së

“Pala kosovare nuk i ka refuzuar kërkesat, por përshtypja është se nuk po nxiton”, Lajçak ka raportuar te Borrelli dhe shtetet anëtare të BE’së

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të vizitave në Kosovë dhe Serbi, e ka informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për rezultatet. Më pas Borrell ka nisur t’i informojë vendet anëtare të BE-së për hapat e radhës që duhet të ndërmerren.

Kështu i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

“Përfaqësuesi i lartë është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në rajon dhe me shtetet anëtare të BE-së. Siç kemi thënë disa herë në të kaluarën, diskutimet dhe draftimi i statutit të Asociacionit/Bashkësisë mund të zhvillohet vetëm në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, theksoi Stano.

Ndërkohë, nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë informuar për vizitën që Mirosllav Lajçak dhe kolegu i tij amerikan, Gabriel Escobar, kanë pasur gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd. Detyra e tyre ishte të përçojnë kërkesat për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

Sipas këtyre burimeve, nga ana e Qeverisë së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të bisedohet për masat drejt shtensionimit të situatës, por, siç thuhet, kryeministri Albin Kurti ka hezituar të pranojë kërkesën për heqjen e menjëhershme të policisë speciale nga objektet komunale.

Po ashtu, sipas të njëjtave burime, “pala kosovare nuk i ka refuzuar kërkesat, por përshtypja është se nuk po nxiton”.

Escobar gjatë qëndrimit në Kosovë, në një takim që pati me gazetarë, tha se e premtja e kësaj jave është dita e fundit kur ai dhe Lajçak do t’u raportojnë eprorëve të tyre për suksesin që kanë pasë përpjekjet për shtensionim të situatës në Veri. Kjo u pa si afat i caktuar për Kosovën që të përmbushë kërkesat e tyre.

Related Articles