Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot do t’i adresohet Parlamentit Evropian.
Osmani tha se në këtë adresim, do ta përçoj mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Parlamentit Evropian, për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e vendit, si dhe rrugëtimin evropian.
Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian, bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës.
Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.
Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.
Për këtë adresim, ka shkruar edhe vetë presidentja Osmani.
“Nesër, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës do t’i adresohem Parlamentit Evropian. Në vitin 1998, Presidenti Rugova, si fitues i çmimit Sakharov, iu adresua po këtij institucioni, për të kërkuar mbështetjen e popujve evropianë për lirinë e Kosovës. 25 vite pas, para po të njëjtit institucion, do ta përçoj mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Parlamentit Evropian për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë tonë si dhe për rrugëtimin tonë evropian”, ka shkruar ajo.