Dhjetëra persona janë mbledhur këtë të diel në Vjenë, në mbështetje të Republikës së Kosovës pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit.
“Zgjohu Bashkimi Evropian”, “Nuk duam një tjetër luftë”, “Përkrahni demokracinë e jo autokratët”, ishin disa nga pankartat protestuese.
Protesta është organizuar me iniciativën e Kati Schneeberger, këshilltares së Bashkimit Evropian dhe presidentes së organizatës “Vienna for Europe”.
Ajo ka publikuar në Twitter pamje nga protesta, ndërsa ka bërë thirrje që të marrë fund “mbështetja për autokratët”.
“Sot në Vjenë – në vendin e të drejtave të njeriut – një zë i fuqishëm për demokracinë dhe paqen si dhe mbështetjen për Kosovën. STOP lëshimeve dhe STOP mbështetjes për autokratët. Ju faleminderit të gjithëve. Ishit të mrekullueshëm”, ka shkruar Schneeberger.
Ditë më parë ajo teksa pati bëri thirrje për këtë protestë, pati thënë se do të mbahet “për shkak të situatës aktuale në Republikën e Kosovës dhe reagimeve joracionale të SHBA-së dhe BE-së”.
“Ne duam të bëjmë thirrje së bashku për të mbrojtur demokracinë dhe paqen në Evropë si dhe për të ndaluar autokratët e mbështetësit e tyre. Ejani në numër të madh. Është e rëndësishme të veprohet tani për t’u marrë me vendosmëri dhe mençuri me Vuçiqin përpara se të gjejmë ‘skenën’ e ardhshëm të luftës në Ballkan”.
“Politika e zbutjes që praktikohet aktualisht ndaj Vuçiqit e inkurajon atë të vazhdojë të veprojë si zjarrvënës. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, ka shkruar Schneeberger në Twitter.