Policia e Kosovës njofton se mbrëmjen e sotme është dëgjuar një shpërthim prapa Shkollës së Mjekësisë në Mitrovicë të Veriut.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani, deklaron se një shok-bombë ka shpërthyer në rrugë.
“Nuk ka të lënduar e as dëme materiale”, ka deklaruar shkurt ai.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga data 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë u vendosën në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Serbët lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve, ndërsa kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në objektet komunale.
Përgjatë kësaj kohe, grupe kriminale kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe ekipet e mediave nga Kosova e Shqipëria. Ndërsa ditë më parë, forcat serbe kanë kidnapuar tre policë kosovarë brenda territorit të Kosovës.