Blinken pas bisedave me Kurtin dhe Vuçiqin: Plani trepikësh nga BE është rruga më e mirë për të ecur përpara

Blinken pas bisedave me Kurtin dhe Vuçiqin: Plani trepikësh nga BE është rruga më e mirë për të ecur përpara

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka bërë të ditur se ka diskutuar për rëndësinë e uljes së tensioneve dhe rikthimit në dialog me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Blinken përmes një postimi në Twitter ka thënë se gjatë bisedës me Vuçiqin e ka mirëpritur vendimin për lirimin e tre policëve të Kosovës.

“Kam biseduar me presidentin serb Vuçiq për të theksuar rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm të tensioneve. Unë mirëpres lirimin e policëve të Kosovës dhe ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm planin trepikësh të BE-së si rruga më e mirë përpara”, tha Blinken.

Gjithashtu, Blinken shton se ka kërkuar edhe nga Kurti që të zbatojë tri pika të planit të BE-së për qetësimin e situatës në veri të Kosovës.

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës për të inkurajuar de-përshkallëzimin në veri të Kosovës dhe kthimin e menjëhershëm të dialogut të udhëhequr nga BE. Plani trepikësh i BE-së është rruga përpara”, tha Blinken.

Siç thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit, gjatë bisedës me Vuçiqin, Blinken përsëriti se “përgjegjësit për sulmet ndaj KFOR-it duhet të mbajnë përgjegjësi” dhe i bëri thirrje Serbisë që menjëherë të ndërmarrë hapa për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshja e normalizimit, ndërsa në bisedën me Kurtin ai tha se kryetarët e komunave në veri funksionet e tyre i kryejnë nga lokacionet tjera.

Related Articles