Rinovimi i stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë është dashur të përfundojë këtë vit, saktësisht më 16 qershor, bazuar në anekskontratën e lidhur në mes të operatorit dhe financueses, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në shtator të vitit 2021. Por, kjo nuk ka ndodhur. Janë bërë fare pak punë që u ndërprenë shpejt dhe objekti është lënë si më keq. Kështu stadiumi ikonik buzë lumit Ibër në Mitrovicë është shndërruar në gërmadhë pas ndërprerjes së punëve. Megjithatë ka shpresë se punimet për rinovim të stadiumit të madh në Mitrovicë do të fillojnë së shpejti.
Të enjten është bërë një hap i rëndësishëm për rinisjen e punëve në stadiumin që mban emrin e komandantit legjendar, Adem Jashari.
Për vazhdimin e punimeve në stadium, Qeveria e Kosovës miratoi kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndarjen e buxhetit shtesë prej 3.2 milionë eurosh, si dhe mori vendimin që të nisë procesi i shpronësimit të pronave rreth stadiumit.
Kështu kostoja e projektit për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” shkon në rreth 16 milionë euro, prej 12.5 milionë euro për sa ishte nënshkruar në vitin 2019.
Ministri Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, deklaroi se buxheti prej 3.2 milionë eurosh do t’i hapë dyert për fillimin e punës në stadiumin “Adem Jashari”.
“Projekti i renovimit të stadiumit ‘Adem Jashari’ ka vite që ka filluar, por për shkak të pengesave dhe problemeve puna ka qenë e ngecur dhe tani përfundimisht kemi lëvizje pozitive në angazhimin e MKRS-së. Njëra nga pikat kishte të bënte me shpronësimin e disa prej pronave private që ndodhen pikërisht në zonën ku pritet të bëhet renovimi. Me zgjidhjen e këtyre problemeve po hapet mundësia që punimet të fillojnë do të thosha, jo të vazhdojnë dhe për këtë arsye është e nevojshme që të ndahet kjo shumë buxhetore për vitin aktual në mënyrë që të ketë vijim të punëve. Pra, në vlerë prej 3.2 milionë eurosh në kuadër të MKRS-së për projektin specifik për renovimin e stadiumit ‘Adem Jashari’”, ka thënë Murati në mbledhjen e Qeverisë.
Ka pasur reagime të shumta e të vazhdueshme lidhur me ndërprerjen e punimeve për renovimin e stadiumit në Mitrovicë. Nuk është hera e parë që investohet në atë objekt.
Në vitin 2014 MKRS-ja i kishte investuar 740 mijë euro. Por shpejt stadiumi u dëmtua. Në vitin 2017 u investuan një milion e gjysmë, prej të cilave 700 mijë euro për reflektorë i ndau Federata e Futbollit e Kosovës, që stadiumi t’i plotësojë kriteret e kategorisë së dytë, përkatësisht që klubet kosovare t’i organizojnë ndeshjet për garat evropiane. Edhe ai renovim shkoi dëm dhe askush nuk mori përgjegjësi.
Tani u nda buxhet shtesë, ndonëse edhe projekti i miratuar vite më parë është shumë i kushtueshëm.
Punimet ishin ndërprerë edhe për shkak të telasheve me pronën. Por pas vendimit të fundit do të vazhdohet me dëgjimin publik dhe konsultimin me pronarët e pronave që duhen shpronësuar për realizimin e projektit të rinovimit.
Zëvendësministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Avni Zogjani, tha se kanë pranuar kërkesë nga MKRS-ja që të bëhet shpronësimi i pronave me qëllim që stadiumi të rinovohet dhe të kalojë nga kategoria 2 në kategorinë 4 sipas rregullave të UEFA-s.
Ai tha se janë plotësuar të gjitha kushtet që kjo kërkesë të miratohet dhe të fillojë puna për shpronësim.
“Departamenti i shpronësimit pas përfundimit të procedurave dhe kontrollimit në aspektin teknik dhe juridik të kërkesës ka konstatuar përmbushjen e kushteve ligjore të nenit 3,4, 8 dhe 44 të Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme dhe kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të nxjerrë vendim me të cilin miratohet shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës për shpronësim për interes publik për realizimin e projektit të rinovimit të stadiumit olimpik në Mitrovicë”, tha Zogjani.
Stadiumi “Adem Jashari” premtohet të jetë modern, me kapacitet më të vogël se që ka qenë, por që do të jetë plotësisht i mbuluar. Aktualisht e ka një tribunë të mbuluar.
Aktualisht vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” i plotëson kriteret për ndeshje të përfaqësueses dhe menaxhohet nga FFK-ja. “Fadil Vokrri” vazhdon të jetë shumë i ngarkuar.