Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Në Polici kanë përfunduar dje edhe një çift nga Prishtina, pasi burri dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, me të cilën ka një fëmijë.
Burimet e Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 29-vjeçarja ka deklaruar se bashkëshorti i saj e ka kërcënuar e po ashtu edhe e ka sulmuar fizikisht.
Si pasojë e dhunës, ajo ka marrë lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.