Zyrtarë të mistrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se me rastin e mbajtjes së Testit të Arritshmërisë, janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, dhe se organizmi i testit do të jetë i ngjashëm më vitin e kaluar, i cili do të mbahet në dy ditë.
Pjesa e parë e Testit të Arritshmërisë do të mbahet sot ku do t’i nënshtrohen rreth 24 mijë nxënës të moshës 15 vjeçare. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, i tha Radio Kosovës se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që pjesa e parë e këtij testi të organizohet sot në qendrat e caktuara.
“Në klasën e nëntë janë rreth 23 mijë e 600 nxënës. Janë bërë të gjitha përgatitjet finale që të organizohet testimi. Komunat i kanë bërë përgatitjet në qendrat e testimit dhe që nga ora 7 e mëngjesit ka filluar dërgimi i komisionerëve në qendrat e caktuara”, thotë ai.
Elezi, tha se organizmi i testit do të jetë i ngjashëm me vitin e kaluar, dhe se ky testim shërben për matjen e njohurive të nxënësve dhe për regjistrimin e tyre në shkolla të mesme të larta.
“Qëllimi i testit është orientimi i nxënësve në klasën e dhjetë. Varësisht prej rezultateve të Testi të Arritshmerisë nxënësit regjistrohen në shkollën e Mesme të Lartë. Mbajtja e testit është e ngjashme si vitin e kaluar.
Në këtë pjesë të parë nxënësit do t’i nënshtrohen testit në lëndët: Gjuhë Amtare, Gjuhë Angleze, Histori dhe Gjeografi. Ndërkaq, më 11 korrik do të mbahet pjesa e dytë e testit në lëndët: Matematikë, Informatikë, Fizikë, Kimi dhe Biologji. Rezultatet pritet të shpallën me 17 korrik.