27 vendet e Bashkimit Evropian i kanë marrë disa masa ndaj Kosovës, si rezultat i ngjarjeve në veri, ku ishte përfolur se një nga masat do të mund të ishte edhe suspendimi i liberalizmit të vizave.
Por, kjo u mohua nga dy ambasadorët, ai i Gjermanisë Jorn Rohde dhe francez Olivier Guerot.
Ata thanë se një gjë e tillë nuk u diskutua.
Megjithatë, diplomati francez Guerot vuri në dukje se Kosova humb goxha shumë me këto masa.
“Prolongimi i këtyre masave negative shkakton humbje të mundësive, gjëra që mund të kishin ndodhur por që nuk do të ndodhin, apo që do të ndodhin më vonë. Më lejoni të ju jap një shembull, një shembull të rëndësishëm në fakt. Më 29 qershor supozohej të aprovohej një grant nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar në financimin e një projekti të zhvilluar nga Franca për ndërtimin e një impianti për ujërat e zeza për Prishtinën dhe komunat përreth dhe këtu kishte edhe një komponentë gjermane, sepse Gjermania do t’i ndërtonte gypat që do ta dërgonin ujin në këtë impiant. Kjo nuk është duke u diskutuar, pra granti nuk është aprovuar dhe më vjen shumë keq, sepse shumë punë është bërë për këtë projekt nga ne, Franca bashkë me qeverinë aktuale të Kosovës, gjithashtu me qeveritë e kaluara për qytetarët e Kosovës, mezi po pres momentin kur mund t’i vazhdojmë këto projekte, por derisa ditët, javët dhe muajt kalojnë realizimi i këtij projekti shumë konkret që do të kishte pasur ndikim pozitiv në kualitetin e jetës së qytetarëve, në kualitetin e ambientit, ky projekt është shtyrë dhe më vjen shumë keq për këtë”, tha ai.
E Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur rreth asociacionit ku ka thënë se, Bashkimi Evropian kërkon shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri, e pastaj implementim të marrëveshjeve.
Sipas tij, implementimi i marrëveshjeve përfshin prezantimin formal të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Dhe përsëri shumë nga partnerët dhe OJQ-të edhe kryeministri fqinj kanë ofruar një propozim, por partneri kryesor dhe më i rëndësishëm nuk ka vendosur asgjë në tavolinë dhe kjo është Qeveria e Kosovës dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë”, tha Rohe në Rubikon në Klan Kosova.
Rohde, më tej tha se ekziston nevoja urgjente që Qeveria e Kosovës të vendosë diçka në tavolinë, pasi sipas tij, “është problem nëse nuk e bën këtë”.
E, ambasadori francez, Oliver Guerot, tha se Kosova ka një obligim që nga viti 2008 për të krijuar Asociacionin, teksa sipas tij, kjo s’është bërë dhe nuk është sjellja që ata e presin “nga një shtet normal që vepron me shtete tjera normale”.
“Kjo vërejtje nuk i drejtohet vetëm qeverisë aktuale, por edhe qeverive të kaluara që nuk kanë qenë aktive në këtë çështje, tani kemi një qeveri detyra e së cilës është të bëjë diçka për këtë. Më lejoni të shtoj se nuk duam që Kosova të jetë shtet jofunksional, në të kundërtën, ne e shohim qartë një të ardhme të Kosovës brenda institucioneve euroatlantike, brenda Bashkimit Evropian dhe mund të ju them, si ambasador i një shteti themelues të BE-së bashkë me Gjermaninë dhe 4 shtete të tjera, BE-ja është ekstremisht e rëndësishme për ne, dhe funksionimi i mirë i BE-së është ekstremisht e rëndësishme për ne”, tha Guerot.
Sipas tij, ka shumë mënyra për ta themeluar Asociacionin që nuk e dëmtojnë Kosovë, teksa tha se një nga opisionet është edhe ai i prezantuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Pra ka shumë mënyra për ta themeluar Asociacionin që nuk e dëmtojnë Kosovën, në të kundërtën ka mënyra për ta themeluar që ta forcojë kohezionin dhe funksionimin e mirë të Kosovës. Siç tha Jorn, ka pasur disa propozime që janë prezantuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, nga shtete fqinje. Një nga opsionet është edhe ai i prezantuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama”, tha Guerot.
Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se vendi i tij “fatkeqësisht” ka ulur bashkëpunimin me Kosovën në disa sektorë.
“Përsëri, unë shpresoj se ne do të arrijmë një zgjidhje së shpejti dhe e dini… Po, thash gjithashtu dhe po flas në emër të vendit tim se ne fatkeqësisht kemi bashkëpunim të zvogëluar në disa sektorë, në sektorë që lidhen me sigurinë deri tani, dhe normalisht nuk ulem këtu për të diskutuar këtë, më me qejf do të kisha diskutuar mbi marrëdhëniet tona, zhvillimin ekonomik, por nëse nuk ka progres këto masa janë duke u implementuar dhe e dini dua t’i ndaloj ato ashtu si BE-ja, ato janë të kthyeshme menjëherë por na duhen veprime nga të gjithë partnerët, veçanërisht nga Kosova për të ecur përpara dhe deri tani nuk kanë ndodhur”, deklaroi Rohde.