Në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’ në Lipjan, dyshohet se një person ka rrahur keq një 21-vjeçar.
Gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pasi viktima kishte pyetur për emrin e motrës së të dyshuarit dhe kjo më pas e ka nervozuar të miturin i cili doli ‘në mejdan’ që t’i qërojë hesapet me të.
I mituri dyshohet se ka goditur brutalisht viktimën, duke i shkaktuar lëndime të rënda dhe si pasojë ai është dërguar me urgjencë në spital.
Burimet e Sinjalit brenda QKUK-së kanë bërë me dije se 21-vjeçari ka pësuar lëndime serioze dhe tronditje në tru, çka ka bërë që atij të mos i kujtohet se si ka ndodhur ngjarja e rëndë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë arritur që ta arrestojnë të miturin dhe të njëjtin e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim. Ai ka shprehur pendesën dhe keqardhjen e tij për atë që ka ndodhur, duke pranuar se e ka goditur me boks viktimën dhe të njëjtin e ka rrëzuar në tokë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.