Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka ironizuar me deklaratat e ministres së jashtme, Donika Gërvalla, në lidhje me Bashkimin Evropian, që e cilësoi si të paaftë në aspektin e sigurisë, duke e quajtur tigër prej letre.
Deliu-Kodra ka përmendur fjalën “tigra” duke aluduar në deklaratën e Gërvallës “BE-ja është tigër prej letre”.
“Mirëmëngjes nga Republika Popullore, o tigra! Zot, fali, se nuk po e dijnë çka po bajnë!”, ka shkruar ajo.
Në panelin e drejtuar nga sekretari i Shtetit të Kroacisë, Zdenko Luçiq, Gërvalla drejtoi një sërë kritikash ndaj BE-së, duke thënë se nuk mund të garantojë paqe dhe siguri në Evropë.
“Jemi rreshtuar për rreth 90 për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët që i kemi përreth po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa sanksione nga Bashkimi Evropian. Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, ka thënë ajo.