Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Siguria e vajzave po cenohet edhe në hapësira publike, shkolla, mjete të transportit e në rrugë. Viktima të këtyre rasteve shumë shpesh janë edhe të miturat, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Zaplluxhe të Dragashit, ku një person dyshohet se përmes mesazheve telefonike ka ngacmuar seksualisht një 15-vjeçare.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e mitura bashkë me nënën e saj ka denoncuar rastin në Polici.
Si rezultat i denoncimit, 47-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’.