Punësimi i fundit i katër mjekëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime, ka shkaktuar reagim në këtë komunë, meqë në mesin e tyre janë djali i vëllait të kryetarit Qemal Aliu dhe vëllai i drejtoreshës së QKMF-së.
Sipas vendimit të Komunës së Shtimes, me rastin e përfundimit të procedurave të rekrutimit, siç e parasheh udhëzimi Administrativ për rregulloren e procedurave të konkursit në sektorin publik, janë përzgjedhur kandidatët të cilët kanë pasur më së shumti pikë në testin me shkrim dhe në intervistë. Komuna ka thënë se procesi ka qenë transparent dhe se afati për ankesa është ende i hapur.
Por PDK-ja dhe kandidatët që nuk arritën të marrin pikët e mjaftueshme kanë reaguar, duke thënë se konkursi ishte i kurdisur nga ekzekutivi.
Njëri nga kandidatët që nuk është përzgjedhur në këtë konkurs, me kushtin që të mos i përmendej emri, ka thënë se i është bërë e padrejtë dhe është duke i shikuar mundësitë e inicimit të një ankese, shkruan Koha.
“Mendoj se më është bërë e padrejtë derisa kam përvojën, aftësinë dhe e kam kaluar testin me shkrim. Pra, mendoj se sikur të ishte gjithçka transparente do të isha përzgjedhur edhe unë, prandaj do t’i shikoj mundësitë për ta iniciuar një ankesë, megjithëse edhe ankesa në këtë mënyrë nuk mund të ketë ndryshim të rezultateve”, ka thënë shkurt një kundërkandidat.
Subjekti i PDK-së në Shtime, nëpërmjet një shkrese ka reaguar rreth punësimit të katër mjekëve të rinj në QKMF. Sipas këtij subjekti konkursi ka qenë i kurdisur që të zgjidhjen djali i vëllait të kryetarit të Komunës dhe vëllai i drejtoreshës së QKMF-së.
“Nepotizmi ka kapluar Komunën e Shtimes, me punësime të familjarëve, duke përfshirë nga ata më të afërmit, siç është djali i vëllait të kryetarit Qemajl Aliut e deri te “balldëskat”. Pra, së fundi në mesin e katër mjekëve është punësuar edhe vëllai i drejtoreshës së QKMF-së. Kjo qeverisje e Qemajl Aliut dhe LVV-së së bashku me koalicionin LDK-AKR për çdo ditë po tregojnë se qëllimi i tyre nuk ka qenë qytetari, mirëpo rehatimi i familjarëve dhe aktivistëve të tyre, duke ua mohuar të drejtën e punësimit atyre qytetarëve që kanë më së shumti nevojë dhe që i plotësojnë kushtet. Mirëpo në vend të tyre punësohen familjarët e kryetarit, drejtorëve e drejtoreshave”, thuhet midis të tjerash në reagimin e PDK-së.
Në anën tjetër, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim Komuna e Shtimes ka sqaruar se i gjithë procesi i rekrutimit ka qenë transparent sipas ligjeve në fuqi. Sipas Komunës, në Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi i garantohen secilit “të drejtat dhe kushtet për qasje në punësim, vetëpunësim dhe punësimin në profesion, përfshirë këtu kushtet e punësimit, kriteret e përzgjedhjes, pa marrë parasysh aktivitetin në të gjitha nivelet e hierarkisë profesionale, përfshirë avancimet”. Sipas Komunës secili qytetar pa asnjë dallim ka të drejtë të barabartë të marrë pjesë në konkurse të rregullta publike. “Çfarëdo mohimi potencial në të drejtën për të konkurruar në këtë konkurs ndaj cilitdo qytetar, do të ishte shkelje e rëndë ligjore dhe do të ishte diskriminuese.
Nuk ka asnjë ligj apo rregull që ua mohon të drejtën qytetarëve të caktuar për t’iu nënshtruar konkursit publik nën kushte dhe kritere të barabarta dhe në pajtim me procedurat e përcaktuara strikt”, thuhet në përgjigjen e Komunës. Sipas kësaj komune, ende nuk kanë pranuar asnjë ankesë dhe afati i ankimimit për konkursin në fjalë është ende i hapur dhe secili e ka mundësinë që t’i parashtrojë të gjitha elementet që i konsideron të padrejta.