Mërgim Lushtaku, deputeti i PDK-së, është intervistuar nga prokuroria për rrahjen e djeshme në Kuvendin e Kosovës.
Pas intervistimit, avokati mbrojtës i tij, Faton Fetahu ka thënë se Lushtaku është intervistuar në cilësi të dyshuarit për sulm, por edhe të viktimës, njofton KP.
Ai ka thënë se qartazi shihet se zëvendëskryeministri Bislimi ka sulmuar i pari deputetin Lushtaku dhe se ky i fundit të gjitha veprimet e tij i ka bërë në vetëmbrojtje.
Ndryshe, gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.