Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 900 euro gjobë të akuzuarin për mashtrim në tentativë E.K. Ai ngarkohet se ka inskenuar kidnapimin për t’ia marrë nënës së tij pesë mijë euro, raporton Gazeta Enigma.
Sipas aktgjykimit të përpiluar nga gjykatësja, Diana Sina, i akuzuar fillimisht është dënuar me 200 euro gjobë dhe 90 ditë burgim.
Mirëpo, me pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, dënimi me burgim i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 700 euro.
Më pas, ndaj të akuzuarit është shqiptuar dënimi unik me gjobë në shumën prej 900 euro.
Ndryshe, i akuzuari E.K e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet në seancën fillestare.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, E.K po akuzohet se më 30.06.2020, rreth orës 16:30, në Gjakovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke paraqitur fakte të rreme tenton ta mashtron apo vë në lajthim nënën e tij, këtu të dëmtuarën Z.K, që të kryejë veprim në dëm të pasurisë së saj.
Tutje sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që pasi i pandehuri del nga shtëpia, përmes telefoni kontakton motrën e tij A.K., duke i shkruar se kinse është rrëmbyer nga dy persona për shkak të një borxhi në vlerë prej 5000 euro, si dhe duke i dërguar disa foto ku i pandehuri shihet i shtrirë, me paralajmërimin se nëse ky borxh nuk paguhet deri ne ora 17:50, të njëjtin do ta vrasin, ku pasi rastit lajmërohet në polici, nga zyrtarët policor është kontaktuar në telefon i pandehuri, i njëjti kishte deklaruar se është ne shtëpi, ashtu që pas intervistimit të të njëjtit është vërtetuar se nuk ka qenë i rrëmbyer nga askush.
Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi në tentativë”, nga neni 323 paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal. Në paragrafin 1 të nenit 323 ku flitet për “mashtrim” parashihet dënim me gjobë dhe me burgim prej 3 muaj deri në 5 vjet burgim për paraqitje të fakteve të rreme, mashtrimit për të dëmtuar personin tjetër. Në nenin 28 përshkruhen dënime kur dikush tenton të kryejë vepër penale por se elementet e veprës penale nuk janë kryer. Aty parashihet dënim sikur vepra të ishte kryer por gjykatës i jepet mundësia edhe t’ia zbusë dënimin.