Prokurorja Sahide Gashi ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Pejës ta dënojë me dënim maksimal mësuesin Xhevdet Jonuzajn, i cili akuzohet se vrau babën e nxënëses së tij për hakmarrje të paskrupullte. Hakmarrja, sipas prokurores, kishte ndodhur shkaku se Jonuzaj ishte dënuar 3 vite e gjysmë burgim se kishte sulmuar seksualisht nxënësen e tij që është vajza e të ndjerit.
Këtë qëndrim Prokurorja Gashi e ka dhënë në shqyrtimin e së enjtes ku është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Jonuzaj akuzohet se në maj të 2021 kishte vrarë G.K prindin e nxënëses të cilën i pandehuri ishte dënuar se e kishte sulmuar seksualisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Vepra për të cilën ngarkohet Jonuzaj parasheh dënim së paku 10 vite burgim e deri te burgimi i përjetshëm.
Pos prokurores Gashi, fjalën përfundimtare të enjten e kanë dhënë edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Osman Havolli, i dëmtuari Ermal Kastrati, mbrojtësi Esat Gutaj si dhe i akuzuari Xhevdet Januzaj.
Në fjalën përfundimtare prokurorja e shtetit Sahide Gashi deklaroi se pa mëdyshje ka të bëjë me një vrasje mirë të planifikuar dhe në shenjë hakmarrje nga i akuzuari.
Sipas saj, i ndjeri G.K nuk ishte vetëm viktima e të akuzuarit por edhe të shtetit që ka dështuar ta mbrojë përkundër që i ndjeri kishte alarmuar për rrezikun që i kanosej nga i akuzuari atij dhe familjes së tij.
Prokurorja tutje sqaroi rrethanat që do të vërtetohen se si kishin ardhur deri tek vrasja e viktimës, fillimisht pas lëshimit të akuzuarit nga arresti shtëpiak ku pak ditë para ditës kritike viktima kishte vërejtur se si ishte duke u përndjekur nga i akuzuari Januzaj, tek banesa e tij.
Sipas prokurores, i ndjeri kishte lajmëruar në Polici se dëshmitarët e kishin parë të akuzuarin me një sëpatë por se s’kishte pasur reagim nga Policia.
Prokurorja ka thënë se nuk qëndrojnë pretendimet e të akuzuarit se është mbrojtur. Sipas saj, vetëm një person ka tentuar të mbrohet dhe të mbrojë fëmijën e tij dhe ai ka qenë G.K.
“Ky i akuzuar atë ditë nuk e ka vrarë vetëm G.K, ky atë ditë e ka vrarë fëmijërinë e vajzës së tij ku atë ditë dhe asaj se çfarë kishte përjetuar ajo do të vazhdojë të jetojë me barrën se për faj të saj është vrarë babai i saj, sikurse edhe vëllai u saj E, i cili konsideron se përveç që s’ka arritë me mbrojtë motrën e tij, të cilën nëna ja kishte lënë jetim 6 vjeçe, ose për shkak të sulmit që e kishte bërë atë ditë në afekt e ka humb edhe babain”, tha prokurorja Gashi.
Prokurorja Gashi ka kërkuar të merren parasysh rrethanat rënduese ndaj të akuzuarit që përveç që të shpallet fajtor të dënohet me dënim maksimal. Ajo kërkoi edhe konfiskimin e armës si dhe monicionit, si dhe ta obligojë të akuzuarin t’i paguajë shpenzimet procedurale gjyqësore.
Tutje, përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Osman Havolli, tha se dorë e zgjatur e këtij rasti është Policia ku ishte lajmëruar paraprakisht rasti por nuk kishte pasur reagim nga organet e shtetit.
Ai tha se kësaj të keqe i akuzuari ka mundur t’i ikë, mirëpo jo edhe viktima G.K pasi s’ka pasur ku të shkon meqë aty e kishte banesën.
“Datën 17 e lajmëroi në Polici, të thënat e njerëzve Policia nuk reagoi, neve do ta shqyrtojmë mundësinë edhe për këtë punë, edhe Policia e Kosovës ndoshta do të japë llogari, ku do ta padisim me padi të posaçme për këto hesape sepse revolja ka mundur të konfiskohet”, tha avokati Havolli.
Sipas tij, kjo ishte vrasje klasike dhe jo sjellje në një situatë të mbrojtjes së nevojshme. Sipas tij, kjo vërtetohet se dy familjet ishin në provokueshmëri të vazhdueshme dhe në konflikt.
Ai mbeti pranë fjalës së prokurores dhe propozimit për shpalljen e të akuzuarit fajtor dhe të dënohet sipas ligjit duke shpresuar që do merret një vendim i drejtë dhe i qëndrueshëm.
Tutje, fjalën përfundimtare e dha edhe i dëmtuari Ermal Kastrati i cili tha se jeta e tyre u çrregullua në ditën kur kujdestari i motrës së tij të vogël i akuzuari Xhevdet Jonuzaj, ka ngacmuar seksualisht motrën e tij.
Sipas të dëmtuarit, pas dënimit të Jonuzajt dhe ndalimit të ushtrimit të profesionit i akuzuari kërkonte gjithsesi të hakmerrej.
Kastrati tha se pas atij momenti të lirimit të akuzuarit, ai dhe familja e tij kishin jetuar të frikësuar dhe në ankth.
“Ditën kritike unë e telefonova babin diku rreth orës 10:40 dhe e pyeta se a kishte qenë në Polici, babai më tha “Ah bre djali jem as Policia nuk po dojnë me m’ndihmu. Në këtë rast s’po di ka me ja majt”. Unë i thash se nëse vjen te banesa prapë fotografoje dhe shko në Polici edhe një herë e ndoshta me dëshmi të fotove që është t’u na rujtë me u hakmarrë na ndihmojnë Policia e marrin masa më shpejtë, por atë ditë kishte ndodhur vrasja”, tha i dëmtuari Ermal.
Më pas, ai tha se shpreson dhe beson se gjykata do të ndanë drejtësinë ashtu siç duhet dhe i akuzuari të marrë dënimin e merituar, ku vrasjen e ka planifikuar mirë, ku një kujdestar klase, pedagog e kujdestar i motrës së tij të jetë sulmues seksual madje edhe i armatosur ta ndjekë viktimën për ta vrarë nuk dëshiron koment.
Tutje, në fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Januzaj, avokati Esat Gutaj, tha se si mbrojtje nuk mund ta mohojnë se më 18 maj 2021 rreth orës 15:20 minuta nuk ka ndodh një ngjarje e cila ka trondit dy familjet Kastrati dhe Januzaj. Ai ka thënë se nuk mund ta mohojnë as të dhënën se raportet e dy familjeve kanë qenë të acaruara për shkak të një aktgjykimi të nxjerrë nga gjykata.
Sipas tij, pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë ngase i akuzuari Januzaj, një ditë para ngjarjes së ditës kritike ka ardhur nga Prizreni për t’i marrë gjësendet e tija dhe për t’u shpërngulur në Prizren.
Avokati tutje shtoi se i mbrojturi i tij nga sulmi dhe drejtimi i viktimës me armë në gjoks duke i thënë se a kë ndonjë amanet për të lënë, ai tha se ka qenë i tronditur tërësisht e ku në atë moment ju ka rrezikuar jeta me drejtimin e revoles ndaj tij dhe shkrepja e armës me gisht e cila ishte ndalur ai tha se ka qenë e drejta e të mbrojturit të tij për ta mbrojtur jetën dhe trupin e tij nga sulmuesi.
Ai nuk e mohoi se i mbrojturi i tij ka gjuajtur rreth 13 herë në viktimën, por sipas tij ka ndodh në momentin e tronditjes së thellë psiqike nga frika pasi që ju ka drejtuar revolja
Në fund ai kërkoi nga trupi gjykues që pas administrimit të provave në vendimin përfundimtar ta ndryshojë cilësimin e pretendimit të Prokurorisë, ku sipas tij provat dhe faktet e vërtetojnë që të ndryshohet cilësimi juridik i veprës penale, dhe të vendos me vendim të drejtë konform elaborimit të provave të cilat janë në shkresat e lëndës.
Më pas i akuzuari Januzaj në fjalën përfundimtare tha se ai ishte së paku shtatë herë i vrarë nga familja Kastrati, ku sipas tij Zoti nuk ka dashur t’ia marrë jetën.
Sipas tij, të thënat se kishte pasur sëpatë në dorë, mund ta vërtetojnë kamerat e gjykatës dhe Prokurorisë ku ishte duke i mbledhur dokumentet në cilësinë e të dëmtuarit.
Ai tha se ka shkuar në Prizren vetëm për t’i ikur konfliktit që të mos ndodh ndonjë gjë më e keqe, për familjen Kastrati ai tha se nuk ka folur asnjëherë keq para dhe pas rastit të ndodhur.
“Prej se ka ardh G.K në lokal, dhe pas sulmit që m’u ka bo nuk kam qenë vetvetja, kam qenë i humbur dhe e kom ditë vetën 100% të vramë”, tha i akuzuari Januzaj.
Ai pranoi veprën që e ka bërë por i njëjti tha se nuk ndihet fajtor pasi që ka qenë moment i vetëmbrojtjes, dhe kërkoi nga trupi gjykues që të marrë vendim të drejtë.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 14 shkurt 2022, e ngarkon të pandehurit Xhevdet Januzaj se më 18 maj 2021, rreth orës 15:30 min në Pejë, në terracën e Restorantit “Te Zhara”, me paramendim e ka provokuar sulmin dhe ka privuar nga jeta të ndjerin G.K, nga hakmarrja e paskrupullt.
Kjo hakmarrje sipas prokurorisë kishte filluar pasi djali i të ndjerit më 29 dhjetor 2019, e kishte sulmuar fizikisht të pandehurin në vendin e tij të punës, pasi i pandehuri kishte sulmuar seksualisht motrën e tij minore dhe për më tepër ishte shpallur fajtor dhe gjykuar me dënim burgimi prej 3 vite e gjysmë nga Gjykata e Pejës.
Sipas Prokurorisë, pasi i pandehuri ishte lënë nga Gjykata e Pejës të mbrohet në liri, ishte pajisur me armë të tipit ‘’Rex Zero1CP”, që e kishte për shejtari, i cili më pas kishte vëzhguar lëvizjet e të ndjerit dhe familjarëve të tij në afërsi të banesës së tyre.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i ndjeri ishte njoftuar nga komshinjtë e tij se kanë parë të pandehurin me sopatë duke i pritur në lokalin “Relax”, për çka viktima G.K kishte lajmëruar dhe kërkuar mbrojtje nga policia por pa sukses
Sipas Prokurorisë, në ditën kritike i ndjeri e vëren të pandehurin ulur afër banesës së tij në tarasën e lokalit, hynë në brendësi të lokalit dhe pretë që i pandehuri të largohet, e kur kjo nuk ndodh, del dhe ulet në tavolinën e tij dhe pasi nxjerr pistoletën që kishte në xhepin e setrës me mbishkrim “Mauser”, ia drejton dhe kërkon nga i pandehuri që të largohet me fjalët “çu hec prej ktuhit”.
Mirëpo, sipas Prokurorisë, i pandehuri nuk largohet dhe i ndjeri me armën e tij tenton që të shtie në të por arma e tij bllokohet dhe më pas i pandehuri nxjerr armën që kishte bërë gati nga çanta e krahut dhe qëllon mbi viktimën 13 herë, duke e lënë të vdekur në vend dhe duke rrezikuar jetën e kamerierit i cili ishte afër viktimës.
Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Vrasjes së rëndë”, nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 e 1.8 të KPRK-së, për të cilën parashihet dënimi jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Aktakuza e ngarkon të pandehurin Januzaj edhe për shkak të veprës penale të përdorimit të armës.
Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 par.2 të KPRK-së, për të cilën parashihet dënimi prej 1 deri 8 vite burgim.