Ramiz Lladrovci ka reaguar lidhur me proceset gjyqësore në Hagë dhe mënyrën se si është organizuar mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vlerësuar se kjo çështje duhet të trajtohet si obligim shtetëror dhe kombëtar, e jo të mbetet përgjegjësi vetëm e një partie politike.
Në reagimin e tij, Lladrovci thekson se mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve duhet të mbështetet nga të gjitha institucionet e Kosovës, përtej ndarjeve partiake.
Ai shpreh shqetësimin për mënyrën e organizimit të mbrojtjes, duke ngritur pikëpyetje për uljen e buxhetit, mungesën e përfshirjes së diplomacisë aleate dhe përfaqësimin e kufizuar të ekspertëve juridikë dhe institucioneve ndërkombëtare në këtë proces.
Sipas Lladrovcit, kanë kaluar gjashtë vjet dhe ende nuk ka qartësi të mjaftueshme nëse janë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat e mundshëm për një mbrojtje sa më efikase të ish-krerëve të UÇK-së.
“A kemi bërë sa duhet, a ka qenë mbrojtja efikase, a janë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat, apo i kemi lënë çlirimtarët vetëm?”, shtron pyetjen Lladrovci në reagimin e tij.
Ai konsideron se lufta çlirimtare dhe figurat që udhëhoqën procesin e çlirimit të Kosovës duhet të trajtohen me seriozitet institucional dhe me një angazhim që tejkalon interesat politike.
Në këtë kontekst, Lladrovci thekson se Partia Demokratike e Kosovës nuk mund ta bartë e vetme përgjegjësinë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar krijimin e një fronti më të gjerë politik, institucional dhe kombëtar.
Një tjetër kërkesë e tij lidhet me hartimin e një ligji të ri, përmes angazhimit të ekspertëve, i cili do të ofronte mbrojtje ligjore për luftën çlirimtare dhe për ata që udhëhoqën atë.
Duke iu referuar pamjeve të sotme nga Prishtina, gjatë largimit të Jakup Krasniqit nga shtëpia e tij, Lladrovci shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si mungesë të përgjegjësisë dhe angazhimit të duhur institucional.
Në përfundim të reagimit, ai paralajmëron se pasojat e mungesës së një angazhimi të mirëfilltë për këtë çështje nuk do të kufizohen vetëm në të tashmen, por mund të rëndojnë edhe mbi gjeneratat e ardhshme.
“Dëmi që po i shkaktohet Kosovës sot, do të jetë barrë edhe për gjeneratat”, përfundon Lladrovci.
