Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka njoftuar se në tremujorin e parë të këtij viti të hyrat e Qeverisë së Kosovës ishin 523.6 milionë euro, derisa shpenzimet gjatë kësaj kohe ishin 521.0 milionë euro, raporton Gazeta Enigma.
Sipas ASK-së, të hyrat e Qeverisë së përgjithshme në tremujorin e parë të këtij viti ishin 523.6 milionë euro, ku është një rritje, krahasuar me të hyrat në tremujorin e parë të vitit 2020, që ishin 402.4 milionë euro.
“Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 64.3% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave. Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së përgjithshme në TM1 2021 ishin 521.0 milionë euro, ndërsa shpenzimet në TM1 2020 ishin 400.3 milionë euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve (32.6%); kontributet sociale dhe përfitimet (28.8%); konsumi i ndërmjetëm (11.5%); dhe formimi i kapitalit bruto (10.0%). Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, thuhet në njoftim.