AAK e çon në Kushtetuese Ligjin për Pagën Minimale

AAK e çon në Kushtetuese Ligjin për Pagën Minimale

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Krahas AAK-së, kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji e mbështetën edhe dy deputetët e pavarur, Fatmir Humolli dhe Haki Abazi.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, teksa ka shprehur besimin që Gjykata Kushtetuese do ta jap vlerësimin e saj për Ligjin për pagën minimale, theksoi se ky rast do t’i thyej dy padrejtësi.

“Presim nga Gjykata Kushtetuese që ta vlerësoj dhe jemi të bindur që ky rast do të jetë rast i cili do t’i thyej dy padrejtësi. Padrejtësia e parë lidhet me mashtrimin flagrant të shumës së pagës minimale i bëjë pyetje publike kryeministrit të Kosovës dhe ministritë të Financave të na tregoj se kush e ka sot pagën 260 euro. Pra ky ligj që është miratuar nuk ka asnjë impakt në terren sepse sot nuk ka pas më pak se 260 euro në sektorin privat dhe as publik. Pra, është një mashtrim i radhës dhe e dyta lidhet po ashtu me dinjitetin e veteranëve të UÇK-së, lidhet me të drejtat e njeriut”, theksoi ai.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës theksoi se në kërkesën e tyre për vlerësimin e kushtetutshmërisë i kanë adresuar tri çështje që i konsiderojnë si shkelje flagrante dhe diskriminuese.

“Në kërkesën tonë për vlerësimin e kushtetutshmërisë i kemi adresuar tri çështje që janë të rëndësishme. E para Këshilli Ekonomik Social i cili përcaktohet në Ligjin e Punës dhe i cili asnjëherë nuk është konsultuar sa i përket pagës minimale tregon për një shkelje flagrante që Qeveria e Kosovës e ka bërë, e dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar, ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave dhe vlerave të njeriut….Dhe e treta lidhet me veteranët e UÇK-së rast ky është eklatant e i cili jo vetëm që është shkelje, por lidhet drejtpërdrejtë edhe me vlerat që kjo kategori përfaqëson”, tha Tahiri.

Tahiri paralajmëroi se si parti, edhe ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës do ta ballafaqojnë për vlerësim me Gjykatën Kushtetuese, në rast se kalon.

Javën që shkoi, Kuvendi i Kosovës me 60 vota pro dhe një abstenim miratoi Ligjin për pagën minimale.

Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro bruto, por kjo shifër është kundërshtuar nga partitë opozitare në vend, madje ata e bojkotuan seancën kur po votohej ky ligj.

Aktualisht paga minimale në Kosovë sillet nga 130 deri në 170 euro.

Related Articles