Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, të hënën mësoi kundërshtarin e mundshëm të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Nëse kalon në raundin e tretë të Ligës së Konferencës, Ballkani takohet me një skuadër nga Gjibraltari.
Megjithatë, për të siguruar ndeshjet me Lincolnin e Gjibraltarit, Ballkani duhet ta kalojë Larnen në raundin e dytë kualifikues. Dhe i gjithë fokusi te suharekasit është te ndeshjet me kampionin e Irlandës së Veriut.
Është trajneri Ilir Daja që ka kërkuar nga lojtarët të mos mendojnë për kundërshtarin e ardhshëm, por të fokusohen vetëm në ndeshjen e parë kundër Larnes. Ndeshja e parë në mes të Ballkanit dhe Larnes luhet të martën nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Do të kërkoj nga grupi të mos mendojnë për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ne do të fokusohemi vetëm për ndeshjen e parë. As për ndeshjen e kthimit nuk do të mendojmë, pasi fokusi do të jetë të arrijmë rezultat pozitiv në ndeshjen e parë”, ka thënë Daja në konferencën për media, të hënën.
Trajneri tiranas thotë se nuk kanë shumë informacione rreth kundërshtarit. Ai nuk mohon se në letër Ballkani është favorit, por insiston se nuk ka ndeshje të lehta.
“Kemi përballë një kundërshtar që nuk e njohim mirë. Por jemi munduar të marrim disa informacione. Nuk ka ndeshje të lehta, pasi për të kaluar kundërshtarin duhet të jesh në ditën më të mirë në aspektin sportiv e po ashtu shëndetësor. Duhet të mos gabosh. Para publikut tonë, ku pres të mos mungojë përkrahja, do të mundohemi të rikthehemi te rezultatet pozitive”, ka theksuar Daja.
Trajneri që udhëhoqi Ballkanin drejt dy titujve rresht në Kosovë pret që te skuadra të mos ndikojë eliminimi nga Ludogoretsi në Ligën e Kampionëve.
Ballkani shënoi fitore në ndeshjen e parë, me rezultatin 2:0. Udhëtoi plot optimizëm për në Bullgari, por humbi 4:0 në Razgrad. Kampioni bullgar është ekip i nivelit dukshëm më të lartë se kampioni i Irlandës së Veriut.
“Nga ana psikologjike mbetet për t’u parë në ditën e lojës. Por ajo që dua të them është se jemi eliminuar duke shënuar një fitore dhe duke pësuar një humbje përballë një kundërshtari të fortë. Pra, kemi humbur vetëm me goldallim. Nuk dua të justifikohem, por 2-3 lojtarë nuk ishin në gjendje të mirë shëndetësore në Bullgari. Nëse analizojmë në tërësi, nuk do të duhej të ketë ndikim të madh në lojë nesër, kur dihet se jemi eliminuar nga një kundërshtar si Ludogoretsi”, ka theksuar Ilir Daja.
Trajneri i Ballkanit ka treguar se Larne luan lojë fizike dhe se është skuadër e rrezikshme nga goditjet standarde.
“Kemi pasur pak kohë për të analizuar pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. Por ajo që kemi mësuar dhe kuptuar është se ka lojë fizike, jo të nivelit të Premier Leagues, por luan mirë me topa të gjatë dhe me goditje standarde është e rrezikshme. Ne do t’i përgjigjemi me mënyrën tonë të lojës për të mos u lejuar kundërshtarëve hapësirë. Do të mundohemi t’ua diktojmë lojën tonë”, ka thënë Daja.
Ai ka theksuar se Armend Thaqi, Nazmi Gripshi dhe Qëndrim Zyba nuk janë plotësisht të gatshëm. Por pret paraqitje të madhe nga lojtarët që do t’i ketë në dispozicion.
Një prej lojtarëve që pritet të paraqitet titullar është sulmuesi Meriton Korenica.
Korenica ishte bashkë me Dajën në konferencën para ndeshjes kundër Larnes.
“Nuk ka ndeshje të lehta. Janë ndeshje të vështira në këto faza të garave. Por ne nuk do të ndryshojmë nga loja jonë. Shpresojmë ta bëjmë lojën tonë dhe të arrijmë më të mirën në ndeshjen ndaj Larnes. Do të jetë ndeshje e vështirë, por ne jemi gati për ta dhënë më të mirën”, ka thënë Korenica.
Ai ka folur edhe për eliminimin nga Ludogoretsi. Pranon se Ludogoretsi ka qenë skuadër më e fortë.
“Ka qenë një problem në ndeshje që ndoshta nuk e kemi parë dhe vlerësuar mirë. Kundërshtari na ka pamundësuar ta zhvillojmë lojën tonë. Por ne duhet ta harrojmë atë lojë dhe të vazhdojmë tutje. Duhet harruar atë ndeshje dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi për të ecur para”, ka thënë sulmuesi i krahut, Korenica.
Korenica insiston se Ballkani ka potencialin për ta eliminuar ekipin e Irlandës së Veriut.
“Duhet ta japim më të mirën. Duhet ta japim maksimumin dhe duhet të fitojmë”.
Korenica ishte prej më të mirëve në dy ndeshjet kundër Ludogoretsit. Kontributi i tij ishte i madh edhe edicionin e kaluar, kur Ballkani shkroi histori. U bë skuadra e parë kosovare që u paraqit në fazën grupore të një gare të organizuar nga UEFA. Liga e Konferencës është niveli i tretë i garave të UEFA-s për nga rëndësia.
Në këtë garë paraqiten edhe Drita e Dukagjini, por që ndeshjet e para të raundit të dytë i luajnë të enjten.