“Me qeverinë i kemi shkëputur gjërat, tani jemi në Kushtetuese”.
Kështu ka deklaruar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.
Ai në emisionin “FIVE” ka thënë se ka përfunduar dialogu i veteranëve me qeverinë derisa të kthehet vendimi nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me pagën minimale.
“Nuk ka dialog me qeverinë derisa Gjykata Kushtetuese të kthejë vendimin”, ka thënë Klinaku.
Sipas tij, gjërat kanë shkuar mbrapsht prej që ka ardhur qeveria aktuale në pushtet.
Ndër të tjera, Klinaku në lidhje me betejën e veteranëve me qeverinë për pagën minimale, ka theksuar se organizatat e dala nga lufta janë kategori ligjore dhe ndryshimet e ligjeve që kanë të bëjnë me ta nuk mund të ndryshohen pa u konsultuar paraprakisht.
“Jemi kategori ligjore, s’mund të bëjnë ndryshime pa ne. Nuk kanë dashur të bashkëpunojnë me ne, organizatat e dala nga lufta, nuk mund të bëjnë ndryshime pa pajtueshmërinë tonë, ne i përfaqësojmë këto kategori”, ka vijuar Klinaku.
Sipas tij, kjo qeveri nuk e ka bërë kategorizimin e veteranëve dhe deri atëherë duhet të zbatohet ligji që ka qenë në fuqi për veteranët dhe, sipas tij, fajtore është qeveria aktuale në pushtet.
“Është temë e gjatë, ne kemi protestuar vitin e kaluar, i kemi mbajtur dy protesta, kemi pasur kontakte me qeverinë, çështja është se prej vitit të kaluar kemi thënë se do të protestojmë kur të mbahen seanca, e morëm një vendim që të pritet Gjykata Kushtetuese, e kemi pasur takim me presidenten, e di ku janë bërë shkeljet, ia kemi sqaruar, i kemi kërkuar që të mos dekretojë ligjin, meqenëse çështja ka kaluar në Gjykatë Kushtetuese, atëherë po e presim atë vendim”, ka theksuar Klinaku.
Ai ka thënë se Gjykata e konstaton se a ka lista veteranë të rrejshëm apo jo dhe se ky proces është në verifikim.