Komente shtesë përkitazi me pesë temat e trajtuara në takimet e fundit në Bruksel ka kërkuar Bashkimi Evropian prej Kosovës dhe Serbisë. Bëhet fjalë për Udhërrëfyesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, energjinë, zbatimin e Deklaratës për Personat e pagjetur, shtensionimin e situatës në veri, si dhe çështjet tregtare. Pavarësisht insistimit të Qeverisë se përmbushi hapat e domosdoshëm për shtensionim në veri, në BE kanë thënë se presin përmbushjen e kërkesave të tyre pa vonesa
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se janë në pritje të komenteve nga Kosova dhe Serbia lidhur me pesë çështjet e diskutuara javën e shkuar, për të cilat nuk pati pajtueshmëri mes palëve.
Një zëdhënës i BE-së i ka përshkuar takimet si të vështira teksa kanë treguar temat të cilat aktualisht i kanë në shqyrtim.
“Këto përfshijnë zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve, energjinë, zbatimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur, deeskalimin e situatës në veri të Kosovës dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, si dhe çështjet tregtare. Takimet ishin të vështira e gjithëpërfshirëse dhe nuk sollën përparime të menjëhershme. Megjithatë, palëve iu kërkua të reflektojnë mbi takimet dhe të japin komente për çështjet e rendit të ditës. Diskutimet do të vazhdojnë dhe Lehtësuesi i BE-së do të thërrasë takime të reja në periudhën e ardhshme”, thuhet në përgjigjen e BE-së, të enjten.
Në takimin e javës së shkuar në Bruksel nuk pati pajtim në asnjërën prej temave të diskutuara, derisa dallimet më të mëdha janë sa i përket sekuencimit të marrëveshjes. Madje zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kritikuan emisarin Lajçak për njëanshmëri në proces, duke i shtyrë përpara vetëm kërkesat e Serbisë. Kryesorja vazhdon të jetë ajo për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por për Qeverinë e Kosovës, Asociacioni nuk mund të ketë epërsi ndaj pikave të tjera të marrëveshjes.
Neni 7 i propozimit të BE-së e trajton “vetëmenaxhimin” e komunitetit serb, që sipas qeveritarëve të Kosovës dhe emisarit Lajçak nënkupton Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ndërkaq sipas aneksit të dakorduar në Ohër, “Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese”.
sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, draftet e deritanishme që Lajçak u ka dërguar palëve, “janë selektive, lënë anash disa provizione të rëndësishme të Marrëveshjes Bazike, në mënyrë të njëanshme u kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes”.
Në takimin e fundit, pala kosovare ka prezantuar komentet që kanë të bëjnë me nevojën që Komiteti i Përbashkët të mbetet brenda kornizave të parapara dhe në Marrëveshjen Bazike, që nënkupton një komitet që merret vetëm me monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe nuk ka kompetenca vendimmarrëse.
Sa i përket temës së energjisë, e cila është trashëguar prej vitesh nga marrëveshjet e kaluara, sipas asaj që ka thënë Bislimi, në takimin e fundit në Bruksel “ka pasur një keqinterpretim nga ana e BE-së për atë se si duhet të duket marrëveshja që garanton nënshkrimin e kontratës”. Por ka shtuar se në Bratislavë është eliminuar ky keqkuptim dhe tash janë shumë afër nënshkrimit të kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit.
Krahas angazhimeve për zbatimin e marrëveshjes në BE e kanë përsëritur kërkesën që palët të përmbahen nga veprimet që mund t’i rikthejnë tensionet në veri.
“BE-ja pret që të dyja palët të përmbushin angazhimet e tyre në dialog dhe kërkesat e BE-së për depërshkallëzim pa vonesa të mëtejshme, të angazhohen në mënyrë konstruktive në proces dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm”, kanë thënë në BE.
Pavarësisht se BE-ja vazhdon ta përsërisë kërkesën për shtensionimin e situatës dhe përmbushjen e kërkesave të tyre, për Qeverinë e Kosovës masat e ndërmarra pas takimit të kryenegociatorit Besnik Bislimi me emisarin Lajçak në Bratislavë, i kanë kontribuar shtensionimit. Qeveria i tërhoqi njësitë speciale nga objektet komunale në masën prej 25 për qind, si dhe u pajtua që pas verës të mbahen zgjedhjet e reja në veri. Me gjithë pritjen e Qeverisë që BE-ja t’i heqë masat sanksionuese ndaj Kosovës pas dakordimit për shtensionim, vendimmarrja e BE-së nuk është vënë në lëvizje. Zyrtarë në Bruksel nuk janë përgjigjur në pyetjet e Kohës nëse janë duke e konsideruar heqjen e masave sanksionuese.