Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se sot do të mbahet protestë me anë të së cilës do shprehet pakënaqësia e komunitetit për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, AGK bën me dije se protesta me moton ‘Demokracia vdes në errësirë’ do të mbahet në orën 12:00 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë dhe në mbështetje të saj kanë dalë edhe organizatat e shoqërisë civile.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik, e hënë, do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në ora 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën”, thuhet në njoftim.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë dje vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.
MINT ka potencuar se vendimi i komisionit e përmbyll këtë rast brenda ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.
Vendimi i Komisionit, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka konstatuar se ARBK-ja, në shkallën e parë ka vendosur në përputhje me ligjin kur e ka pezulluar certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.