Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në fshatin Manastirc në Ferizaj, ku tre të rinj po dyshohen se kanë sulmuar brutalisht një person, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima është transferuar në Qendrën Klinike Universitare pasi fillimisht ishte trajtuar në Spitalin Rajonal në Ferizaj.
Sinjali mëson se njëri nga të dyshuarit tashmë është kapur, ndërsa dy të tjerët ndodhen akoma në arrati.
Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para dhe deklaratat e disa dëshmitarëve për incidentin që ka ndodhur.
Ndaj të dyshuarit që u arrestua, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”.