Opsionin të cilin disa herë e ka përmendur kryeministri i Kosovës Albin Kurti, se si mund të mbahen zgjedhjet e reja në katër komunat veriore të Kosovës, përmes një peticioni nga qytetarët atje, prej 20 përqind me të drejt vote, e ka hedhur poshtë me automatizëm ish- kryetarja e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Daka, që aktualisht mban pozitën e gjyqtares në Supreme, në një intervistë për Gazeta Blic ka folur për opsionet dhe mundësitë, se si mund ta mbahen zgjedhjet në komunat në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Opsionin që banorët në atë pjesë ta nënshkruajnë një peticion prej 20 përqind e tyre që janë të regjistruar si votues në komunë, Daka e ka hedhur poshtë, e për këtë ka pasur një arsye.
“Po kjo procedurë asnjëherë nuk ka ndodhur në Kosovë, është një depozitë e nenit 72 e ligjit mbi qeverisje lokale ku supozohet se qytetarët nuk janë të kënaqur me qeverisjen e një kryetari komune dhe vendosin që të bëjnë një peticion, ku 20 përqind e votuesve të regjistruar të komunës të bëjnë nënshkrimet e tyre dhe këtë peticion t`ia dorëzojnë kryesuesit të kuvendit komunal, i cili më pas atë peticion e dorëzon në KQZ dhe më pas KQZ duhet të organizojë një referendum, ku qytetarët do të votonin për largimin e kryetarit e ku 50 përqind, plus një votë të votojnë që ai kryetar të largohet. Mirëpo, është një pengesë ligjore, sepse Kosova nuk ka ligj për referendum dhe KQZ nuk ka se si të organizojë referendum në mungesë të këtij ligji, pra kjo është gjendja aktuale … po si opsion me automatizëm bie kjo për momentin se s`ka ligj për referendum”, thotë ish kryetarja e KQZ-së.
Ajo ka thënë se mënyra e vetme ndoshta dhe më e drejta do të ishte që kryetarët aktual në katër komunat në atë pjesë të Kosovës të dorëzojnë mandatet e tyre.
“Po mënyra më e thjesht është që kryetarët aktual, katër kryetarët të japin dorëheqje vullnetarisht, t`i dorëzojnë mandatet e tyre dhe kjo është çështje që varet nga vullneti i tyre. Pra, nuk ka ndonjë mënyrë që ata të detyrohen të them kështu kushtimisht të obligohen të japin dorëheqje, pra ata me vullnetin e tyre të lirë të japin dorëheqje dhe të hapet rruga për zgjedhje të reja në pjesën veriore. Po në qoftë se tre prej tyre japin dorëheqje, mbahen zgjedhjet në tri komuna, në qoftë se njëri nga kryetarët hipotetikisht nuk jap dorëheqje, atëherë ai mbetet kryetari i asaj komune”, tha ajo.
Por çka ndodh në rast se kryetarët nuk japin dorëheqje?
Në rast se katër kryetarët e komunave nuk u ‘bindën’ urdhrave të shefave të tyre për t`u dorëhequr dhe në rast se ndaj tyre mund të ketë ndonjë presion, Valdete Daka, ish- kryetare e KQZ ka thënë se këtu lehtësisht mund të shkelen ligjet që janë të aplikueshme në Kosovë.
“Megjithatë, ajo dorëheqje e pavullnetshme gjithmonë po flasim hipotetikisht, atëherë duhet të vërtetohet dhe ajo do të ishte shkelje ligjore, sepse nuk do ta kishte fuqinë ligjore ajo dorëheqje, pra ish dashur që dikush ta vërtetojë se ata kanë dhënë dorëheqje nën presion, pra ajo nuk ka qenë vullnetare, mirëpo të gjitha këto janë hipotetike dhe që duhet të vërtetohen”, thotë ajo.
Daka: Roli i Vjosa Osmanit në këtë proces zero
Në rast se nuk do të mund të aplikoheshin secili variant që do të mund t`i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, Daka ka folur edhe për rolin e presidentes së Kosovës. Sipas saj ajo në këtë rast ka zero rol ose kompetenca.
“Jo nuk ka kurrfarë roli… është një opsion sipas ligjit për qeverisje lokale ku Qeveria mund të kërkojë largimin e kryetarëve të komunave në qoftë se ata kanë bërë ndonjë shkelje kushtetuese”, tha ajo.
Por çka nëse serbët lokal në Veri refuzojnë prapë zgjedhjet?
Valdete Daka ish kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka thënë se zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës duhet të mbahen bazuar në një marrëveshje politike.
Daka ka vlerësuar se në rast se serbët lokal atje refuzojnë pjesëmarrjen sërish në zgjedhje do të krijohet një status quo sikurse kjo tani.
“Duhet marrëveshje politike që të mbahen këto zgjedhje, sepse këto janë veçse politike duhet të ketë një marrëveshje dhe të marrin pjesë të gjithë qytetarët e atyre komunave, se po mos të marrin pjesë shumica dërrmuese, atëherë do të jemi në një situatë të njëjtë, edhe nëse ato mbahen zgjedhje të reja zgjedhje në qoftë se nuk marrin pjesë shumica dërmuese… në rast se nuk dalin në zgjedhje shumica do të kemi kryetar sikurse këta në një situatë të njëjtë .. një status quo”, tha Daka.