Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla folur lidhur me fillimin e patrullimit të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë.
“Ky patrullim i përbashkët i policive tona i cili ka ardhur si nevojë nga përdorimi i shumtë i akseve tona rrugore nga qytetarët dhe mërgata, do të shërbejë për parandalimin e aksidenteve, sigurinë rrugore dhe krijimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka apeluar tek qytetarët dhe mërgimtarët të kenë kujdes maksimal në komunikacion.
“Apeloj të gjithë qytetarët tanë, mërgatën tonë që kanë ardhur të takojnë më të dashurit në vendlindjen e tyre, që të kenë kujdes maksimal në komunikacion. Çdo veprim i kujdesshëm shpëton jetë”, ka shkruar ai.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, së bashku me Policinë e Shqipërisë, kanë hartuar memorandum bashkëpunimi për patrullime të përbashkëta të dy policive rrugore në territorin e Republikës së Shqipërisë.