Ky është vendimi i Kurtit që lejoi përjashtimin e procedurave të prokurimit për rezervat shtetërore

Ky është vendimi i Kurtit që lejoi përjashtimin e procedurave të prokurimit për rezervat shtetërore

Lufta në Ukrainë dhe inflacioni që shkaktoi pandemia COVID-19 detyroi shtetin e Kosovës që të sigurojë rezerva shtetërore të produkteve bazike ushqimore, duke përfshirë grurin, vajin ushqimor dhe produkte tjera.

Me kërkesë të MINT qeveria e Kosovës me datë 26 shkurt 2022 mori vendim për përjashtimin nga procedurat e prokurimit furnizimin me produkte të Rezervës Shtetërore të Mallrave.

5 muaj pas këtij vendimi, sipas audio-incizimeve të publikuara nga gazeta Nacionale, pretendohet që filluan keqpërdorimet në sigurimin e mallrave të rezervës shtetërore.

Në audio-incizimet e publikuara, sipas bisedës së zhvilluar mes zyrtarëve të MINT kuptohet se kishte dyshime që një sasi e grurit në sasi prej 9 ton grurë po mungonte. Vlera e grurit që mungonte sipas bisedave, del të ishte rreth 6 milionë euro. Dyshime të njejta janë shfaqur edhe për vajin, për të cilin dyshohet që një sasi nuk erdhi fare në Kosovë.

“Unë i kam thanë nuk e paguaj për qetë punë për qetë punë, se tash ky shpediteri ky që e ka pas (nuk kuptohet) e ka pasur edhe shpedicionin, ai thojke e kam pru, shpediteri thojke mungojnë 9 tonë, këta thojshin mungojnë pak ma shumë, se aty në kontratë thuhet se duhet me i sjellë 10 mijë tonë me nen nuk duhet me humb asnjë pike rrugës”, dëgjohet teksa flet një zyrtar i Ministrisë së Tregtisë e Industrisë.

Certifikuesi Enver Hajrullahu që punon në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka reaguar pas publikimit të incizimeve nga gazeta Nacionale.

Hajrullahu i cili në incizime flet për presionet e mëdha për ta nënshkruar pranimin e grurit edhe pse mungonin 9 tonë, ka bërë të ditur se incizimet nuk i ka bërë ai. Ai ka thënë se nuk është as burimi i Nacionales.

Në një postim në facebook, Hajrullahu ka shkruar se nuk ka pasur asnjë qëllim ndaj asnjë zyrtari, por është kujdesur t’i respektoj rregullat dhe procedurat ligjore.

“Sot, është publikuar një video në mediumin Nacionale.com, si protagonist i asaj video jam Unë. Dua t’iu njoftoj se këto audio-incizime nuk kanë rrjedhur nga Unë, dhe i njëjti është bërë në hapësirat e MINT përkatësisht në njërën nga zyrat e Departamentit të Financave, duke mos qenë në dijeni që po ndodh një incizim i tillë, dhe Unë nuk jam burim i mediumit në fjalë. Kjo bisedë ka ndodhur përafërsisht në fund të korrikut të vitit 2022”, ka shkruar Hajruallahu.

Rreth këtyre audio-incizimeve ka reaguar edhe MINT duke i quajtur shpifje raportimet për parregullsi blerjen e rezervave shtetërore, sic janë gruri dhe vaji.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) sqaron opinionin publik se, thashethemet e përdorura në audio-incizimet e transmetuara janë tendencioze dhe të pavërteta, duke aluduar për keqpërdorim të Rezervës Shtetërore dhe duke i shërbyer një kauze politike me qëllim të dëmtimit të procesit më të ndjeshëm për mbrojtje dhe siguri shtetërore dhe më qëllim denigrimin e figurës së Ministres Rozeta Hajdari, uljen e reputacionit dhe imazhin publik të saj”, thuhet në njoftim.

Ministrja Rozeta Hajdari, sot ka dorëzuar padi ndaj gazetës Nacionale duke thënë se sulmet e vazhdueshme shpifjet, fyerjet dhe të pavërtetat, nuk duhet të lejojmë të kthehen në diçka të zakonshme, sepse dëmi që i bëhet opinionit publik, shoqërisë tonë mund të jetë i jashtëzakonshëm.

“Tentimet e dështuara për të cënuar integritetin dhe dinjitetin tim, përmes disa audio-incizimeve por edhe duke i dhënë vehtes të drejtën për të shpifur, duke shantazhuar dhe shpërndarë informacione të pavërteta, do të marrin epilog në organet e drejtësisë.

Prandaj, sot për këtë qëllim, kam dorëzuar padi në Gjykatën Themelore, në Prishtinë, kundër Gazetës Nacionale, gazetarit Berat Buzhala dhe zyrtarit të MINT, Enver Hajrullahu.” – shkroi ajo.

Audio-incizimet e fundit në MINT, ato të shefës së deputetëve të VV-së dhe ish deputetit serb Slavko Simiq kanë nxitur reagime të shumta të opozitës dhe shoqërisë civile në vend.

Related Articles