Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas përleshjes me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant”, në Prishtinë, ku si pasojë një person humbi jetën dhe shumë të tjerë u plagosën.
Sveçla tha se palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale.
“Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!”, shkruan ai.
Shkrimi i plotë:
Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer.
Ndëshkimi erdhi vetëm pasi humbëm një jetë të re, atë të Marigonës. Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë.
Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë.
Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetëra të rinj të tjerë.
Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!
Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre.
Është koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontingjent kriminal.
Drejtësia është virtyt që duhet mbrojtur nga e tërë shoqëria, përfshirë aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët. Ndjenja e të drejtës duhet të jetë shqetësim për të gjithë ne. Shembujt e ndëshkimit të krimit shërbejnë edhe si mbështetje për rolin e policisë sonë.
Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të iniciojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme!