Një konflikt i çastit ka degraduar në dhunë fizike në Lezhë, ku i plagosur ka mbetur një 37-vjeçar nga Kosova.
Policia shqiptare ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një karburanti në afërsi të Kryqëzimit të Tales, në aksin rrugor Lezhë – Milot. Kanë qenë dy punonjësit e karburantit, një 61-vjeçar dhe një 52-vjeçar që kanë dhunuar të riun, duke i shkaktuar plagë të rënda.
“Në ambientet e një karburanti në afërsi të Kryqëzimit të Tales, në aksin rrugor Lezhë – Milot, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, janë përfshirë në konflikt fizik dhe me mjete të forta, shtetasi kosovar M. M. 37 vjeç me dy shtetas shqiptarë (punonjës te karburanti) N. S. 61 vjeç banues në Lezhë dhe K. R. 52 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.
Si pasojë e konfliktit ka mbetur i dëmtuar fizikisht shtetasi kosovar M. M. i cili është dërguar në spital për ndihmë mjekësore i shoqëruar nga patrulla e policisë, ndërsa shtetasit N. S. dhe K. R. janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë.
Gjithashtu, gjatë konfliktit, nga këta shtetas janë dëmtuar edhe ambientet e zyrës së qëndrimit të punonjësve të karburantit si dhe automjeti i shtetasit kosovar.
Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve dhe sqarimit të situatës, do të jepet një njoftim i dytë sqarues”, thotë policia.