Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë.
E abuzimi me lëndë narkotike shpeshherë bëhet shkaktar edhe për dhunë në familje, ku shumë raste viktima janë prindërit që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Në hall me djalin e tyre janë edhe një familje në Prishtinë, ku babai e ka denoncuar 25-vjeçarin në Polici.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë zbardhur detaje nga dëshmia e prindit, i cili ka pohuar se i riu vazhdimisht ushtron dhunë psikike ndaj tyre dhe lëshon muzikë me zë të lartë gjatë gjithë natës.
Po ashtu bazuar në dëshminë e tij, ai ka sjellje agresive dhe ka sulmuar fizikisht vëllain e tij, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’ dhe i riu do të hetohet në liri.