Kryetari i Çairit për problemet e shkaktuara pas vizitës së Kurtit: Është me tendencë

Kryetari i Çairit për problemet e shkaktuara pas vizitës së Kurtit: Është me tendencë

Pas vizitës që kryeministrit Albin Kurti i bëri komunës së Tetovës dhe Çairit, policia maqedonase i mori në pyetje dhe ngriti kallëzime penale kundër kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami dhe atij të Çairit, Visar Ganiu, me arsyetimin se nuk respektuan rregullat protokollare shtetërore.

Kryetarët e këtyre dy komunave kanë akuzuar ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore, se kanë qenë të koordinuar të bëjnë zhurmë për vizitën e Kurtit në Maqedoninë e Veriut.

“Është me tendencë, një ditë para se të vije kryeministri Kurti, në një televizion nacional, në gjuhën maqedonase,  ka qenë i ftuar ministrin i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe gazetarja e pyet se në çfarë cilësie nesër vjen nesër kryeministri Kurti, ai e ka ditur shumë mirë për çka, se në shtet ne e kemi paralajmëruar ardhjen, ne e dimë që udhëheqësja e gjashtë siç i thonë këtu, ajo e cila merr masa për sigurinë e klasit të parë kanë qenë me shërbimet e mia  tërë kohën në kontakt, kanë dalë e kanë parë ku do të vendoset bina, ku do të ndalet vetura e kryeministrit dhe të gjitha protokollet i kanë bërë dhe shteti e ka organizuar atë pritje, ai i është përgjigjur gazetares, ‘me siguri se nuk vjen si kryeministër, por në mënyrë private’”, tha për RTK, Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Ndërsa, kryetar i Tetovës, Bilall Kasami, tregoi se Inspektorët e policisë kanë kërkuar që ai të shkojë në stacion të policisë, por ai ka vlerësuar se nuk ka çka të sqarojë atje.

“Unë kam vlerësuar që nuk kemi se çka të sqarojmë dhe kam vlerësuar se në këtë rast bëhet fjalë për një organizim zyrtar të Komunës së Tetovës që kanë qenë të informuar edhe qeveria edhe organet shtetërore që kanë qenë edhe organizatorë të vizitës nga kufiri deri këtu dhe anasjelltas. Unë nuk e kam parë të arsyeshme se për çfarë mund të intervistohet kryetari i një komune në stacion të policisë, për një organizim që në aspektin e organizimit zyrtar ai takim i ka pasur të gjitha elementet që duhet t’i ketë”, tha Kasami.

Kryetar i Komunës së Çairit, Ganiu, tha se kanë pritur gjatë vizitën e Kurtit.

“Këtë vizitë e kemi pritur gjatë kohë pasi kryeministri Kurti ka qenë më agjendë mjaftë të ngarkuar dhe dëshira jonë ka qenë që Kurti të jetë pjesëmarrës në përurimin e emrit të kësaj rruge duke e ditur se ai ka qenë bashkëpunëtorë dhe krahu i djathë i Adem Demaçit simbolit të rezistencës. Por është hera parë që ka ndodhur të paktën këto 6 vite sa janë unë kryetar komune që dikush të thirret në biseda informative për çështje të tillë të paktën unë nuk di ndonjë rast. Shpjegimi i thirrjes ishte shkaku se ne nuk ë kemi përdorur himnin e Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka pasur flamuj, ajo ka qenë pjesë e protokollit dhe me të vërtetë nuk ka pasur flamuj as të Kosovës dhe as të Maqedonisë së Veriut, ne kemi shkuar mbrapa më një ekran në skenë ku janë shfaqur herë pas herë të gjitha si flamujt e shteteve, fjalive të ndryshme të Adem Demaçit e tjera. Për këtë arsye na janë dhënë dy dënime një mua dhe një komunës”, ka thënë Ganiu.

Edhe Bilall Kasami tha se ka pasur tentime nga policia për t’u sqaruar, por ai nuk e ka kuptuar çka të thotë për këtë.

Sipas tij, tubime të tilla, nga viti 2001 e këndej, shqiptarët ë Maqedonisë së Veriut kanë organizuar rregullisht dhe nuk ka pasur shqetësime të tilla.

“Ne vlerësojmë se lufta e 2001-shit solli disa të drejta të shqiptarëve përkundër asaj që për çështje të flamurit  dihet se në Maqedoninë e Veriut janë  burgosur  kryetar komunash, kryetar partish ndodhi rasti i Gostivarit protestat dhe burgosja e kryetarit të Gostivarit e ati të Tetovës për flamur dhe tash sërish  të përsëritet pas 20 vitesh të thirrën dy kryetar komunash në polici  dhe të dënohen për të njëjtën çështje unë vlerësoj që tregon realitetin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut se sa partitë politike në qeveri kanë avancuar çështjen shqiptare”, ka thënë Kasami.

Të premten, Kurti ka qëndruar në Maqedoni të Veriut me ftesë të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami dhe atij të Çairit, Visar Ganiu.

Ai ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit “Adem Demaçi” në Çair, si dhe në një përurim në Tetovë.

Pas vizitës së tij ka pasur shumë reagime, ndër të cilat edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite, për shkak të ikonografisë shqiptare të përdorur gjatë manifestimeve.

Pas kësaj janë ngritur kallëzime penale kundër dy kryetarëve për “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.

Related Articles