Pogradeci ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror dhe synon të tërheqë sa më shumë pushues gjatë kësaj vere, ndërsa ka ofruar shumë argëtime përmes aktiviteteve të ndryshme gjatë gjithë verës dhe që synojnë ta bëjnë sa më argëtuese të gjithë kohën e pushimit që turistët do të kalojnë aty.
Gama e pasur e traditës jo vetëm në kulinari apo mikpritjen pogradecare, por edhe në aspekte të tjera prej kohësh është kthyer në një tërheqje për vizitorët që vijnë jo vetëm nga Shqipëria por edhe vende të tjera.
“Unë jam nga Amerika dhe kam ardhur në Shqipëri kohë më parë dhe doja të rikthehesha përsëri. Sapo m’u dha rasti erdha. Kam qenë në Durrës, por kur mësova për Pogradecin dhe liqenin vendosa të vij këtu. Tani kam një apartament këtu dhe mësoj joga dhe më pëlqen shumë këtu. Më pëlqen liqeni, malet, qyteti, ushqimi dhe njerëzit e mrekullueshëm. Jo vetëm qyteti, por edhe fshatrat përreth janë të mrekullueshme”, shprehet një turiste e huaj.
Liqeni i Ohrit gjatë ditës, e freskia në mbrëmje, Korani dhe belushkat, por edhe çmimet konkurruese përgjatë viteve të fundit e kanë kthyer Pogradecin në një pol të rëndësishëm të turizmit që pret çdo verë mijëra pushues, transmeton tch.