Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në mëngjes në rrugën “Agim Ramadani-Katana” në Mitrovicë, ku një veturë ka goditur dy automjete të tjera dhe për pasojë një person ka vdekur.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se personi që humbi jetën është shoferi i veturës, një 60-vjeçar, i cili nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve.
“Sot me datën 22 gusht 2023, rreth orës 08:35, në rrugën ,,Agim Ramadani-Katana” në Mitrovicë, është shkaktuar një aksident trafiku, ku një automjet me targa vendore, deri sa kishte qenë në lëvizje për shkaqe të panjohura kishte goditur dy vetura të cilat kishin qenë të parkuara në këtë rrugë.
Meqenëse drejtuesi i automjetit në lëvizje pëson lëndime trupore, me urgjencë dërgohet në emergjencën e spitalit Rajonal në Mitrovicë dhe si pasojë e lëndimeve pas pak kohe drejtuesi i automjetit të aksidentuar, i moshës 60 vjeçar, ndërron jetë.
Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.”