Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë. Zakonisht viktima janë gratë të cilat keqtrajtohen fizikisht dhe psiqikisht kryesisht nga familjarët e tyre. Por jo rrallëherë ndodhë që edhe anëtarët e tjerë të përjetojnë dhunë.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Lupç i Poshtëm të Podujevës ku një 34-vjeçar është denoncuar nga vëllai i tij për dhunë në familje.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur te shtëpia e tyre, ku i riu po dyshohet se ka kërcënuar me një thikë familjarët e tij, duke mos i lejuar të futen brenda.
Përballë kësaj situate, vëllai i tij ka vendosur që të kërkojë ndihmën e Policisë, duke e raportuar atë që kishte ndodhur, për motive akoma të panjohura.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve për veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i njëjti është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.