Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, lidhur me akuzat për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit.
I pandehuri Reçica po akuzohet për disa vepra penale, përfshirë ushtrim ndikimi, dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe për shpëlarje të parave, ndërsa tre zyrtarët e tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen vetëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se janë refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës, pasi nuk janë paraqitur të dhëna të mjaftueshme që do ta justifikonin hedhjen e aktakuzës në këtë stad të procedurës.
“Refuzohen si të pa bazuara kërkesat për hedhjen e aktakuzës PPS.nr.34/2019 të datës 15.02.2021, të paraqitura nga avokatët mbrojtës të të pandehurit Betim Reçica, avokatit Florim Vertopi, mbrojtësit të të pandehurit Isa Berisha, avokatit Florent Latifaj të datës 14.05.2021, të të pandehurit Mirdit Emini, avokatit Driton Musliu, të pandehurës Leonora Limani, avokatit Alban Makolli, për veprat penale sipas aktakuzës, meqë nuk janë plotësuar kushtet ligjore për hedhjen e kësaj aktakuze”, thuhet në këtë vendim.
Gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar se për t’i zbërthyer pretendimet e prokurorisë dhe kundërshtimet e mbrojtjes, është e nevojshme që të shkohet në shqyrtim gjyqësor, ku pas administrimit dhe plotësimit të provave do të vërtetohet nëse me veprimet e të pandehurve ekzistojnë elementet e veprës penale për të cilat akuzohen.
Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja më 15 shkurt 2021, Betim Reçica po akuzohet se në cilësinë e Ushtruesit së detyrës së Drejtorit te Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion” nga Tirana, ushtroi ndikim të drejtpërdrejt te Isa Berisha, Kryetar i Komisionít Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtar të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.
Gjithnjë sipas aktakuzës së PSRK-së, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të vijnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues Operatorin Ekonomik “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se OE & GP& “Papënburg Ardiani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësuese, i cili për shumën prej 1,630,487.45 Euro kishte ofruar çmim më të ulët se “Gjoka Konstruktion”, me çka për këtë shumë ka dëmtuar buxhetin e Kosovës.
Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Reçica se ka kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit”, nga neni 431 par.1 i KPK-së.
Betim Reçica po akuzohet nga PSRK-ja edhe se më 2 tetor 2019 në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, kishte nxjerrë vendim me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar (shtesa në pagë) për 14 zyrtarë të kësaj ministrie, edhe pse të njëjtit ishin të angazhuar në detyra të rregullta zyrtare, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 9,049.8 euro.
Në këtë pikë të aktakuzës, mbi Reçicën rëndojnë akuzat se në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që përfitoj çfarëdo dobie për personin tjetër, duke nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, me qëllim që të bëhet kompensimi financiar për dy zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e Projekteve kapitale në MI, Hysen Merovcin dhe Ardian Begaj.
Sipas aktit akuzues, me vendimin e nxjerrë nga Reçica të datës 11 qershor 2019, zyrtarët e MI, Hysen Merovci ishte kompensuar në vlerë prej 800 euro, ndërsa Ardian Begaj në vlerë prej 600 euro, në mënyrë retroaktive që nga data 7 qershor 2018, me ç’rast këta dy zyrtarë përfituan kundërligjshëm shumën prej 8,838 euro, e për këtë është dëmtuar edhe buxheti i Republikës së Kosovës.
Ndërsa, aktakuza thotë se me vendimin e nxjerrë nga Reçica të datës 14 gusht 2019, kundërligjshëm dy zyrtarët e MI, Hysen Merovci e Ardian Begaj janë kompensuar financiarisht me shtesa në pagë, duke filluar që nga themelimi i marrëdhënies së punës, pra për Merovcin që nga muaji maj i vitit 2010, kur i njëjti është punësuar dhe për Begajn që nga fillimi i vitit 2010, kur ky po ashtu është punësuar, duke dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 68,500.00 euro.