Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), dhe Komuna e Prishtinës, kanë bërë të ditur se kanë filluar me zbatimin e pilot projektit përmes së cilit pacientët e rajonit të Prishtinës që pësojnë infarkt akut të miokardit do të kenë mundësi që në kohë rekorde të marrin trajtimin në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë Invazive.
Sipas një njoftimi thuhet se drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, tha se ShSKUK, përmes Klinikës së Kardiologjisë do të mundësojë që pacientët që pësojnë infarkt të miokardit do të sjellen direkt në Kardiologji Invazive nga Enti i Urgjencës së Komunës së Prishtinës, duke shfrytëzuar kohën që në mjekësi njihet si koha e “artë” në reagim të shpejtë.
Sipas tij, ky është vetëm fillimi i projektit që parashihet të zgjerohet në tërë Kosovën.
Këtë bashkëpunim e kanë vlerësuar edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj dhe drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku, të cilët kanë falënderuar ShSKUK-në, duke ofruar të gjitha kapacitetet mjekësore dhe infrakstrukturore për të zbatuar këtë projekt jetik për pacientët.
Për rolin dhe rëndësinë e projektit foli edhe Artan Ahmeti, kardiolog i Klinikës së Kardiologjisë, i cili ceku përfitimet shëndetësore që do të kenë pacientët, përmes realizimit të këtij projekti.