Angela Griep, shefe për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka bërë të ditur se më 16 gusht trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes së Thaçit lidhur me kontaktin me një dëshmitar të caktuar.
‘‘Mbrojtja e Thaҫit kërkoi që të shfuqizohet protokolli që rregullon kontaktet me dëshmitarët në lidhje me këtë dëshmitar, bazuar në njoftimin e prokurorisë se ka vendosur të mos e thërrasë këtë dëshmitar në këtë fazë të procesit’’, tha Griep.
Ajo shtori se trupi gjykues ka konstatuar se protokolli vazhdon të jetë në fuqi, me arsyetimin se Prokuroria ende ka ndër mend ta thërrasë dëshmitarin, por në një fazë të mëvonshme të procesit.
Griep tha se trupi gjykues ka sqaruar gjithashtu se sa herë që Prokuroria të vendosë të mos e thërrasë një dëshmitar për të cilin ka njoftuar më parë, ajo duhet ta informojë mbrojtjen, sepse në këto raste protokolli pushon së qeni në fuqi.
‘‘Rrjedhimisht, Prokuroria duhet që ta rishikojë në mënyrë proaktive dhe të vazhdueshme listën e dëshmitarëve të saj dhe të njoftojë pa vonesë mbrojtjen sa herë të vendosë të mos e thërrasë një dëshmitar të caktuar’’, tha më tej ajo.
Ndryshe, informoi se në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitarët e 18-të dhe 19-të të thirrur nga Prokuroria dëshmuan këtë javë me masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private.
Po ashtu, seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore është planifikuar për të hënën, 4 shtator, duke filluar në orën 9:00 paradite.
Griep dha informacione edhe për rastin e Pjetër Shalës dhe atë se më 29 gusht, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka hedh poshtë një kërkesë referuese të Pjetër Shalës, duke e konstatuar atë të papranueshme.
Lidhur me këtë, ajo tha se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se është kompetencë e Gjykatës Themelore dhe e Dhomës së Apelit të marrin vendime mbi pranueshmërinë e provave, ndërsa detyra e Gjykatës Kushtetuese është të vendosë nëse procesi në tërësi dhe mënyra se si u mor prova, ishin të drejta.
‘‘Duke qenë se procesi i gjykimit dhe apelet e mëtejme nuk kanë përfunduar ende, gjykatësit konstatuan se kërkesa referuese ishte e parakohshme’’, tha ajo.
Në vazhdim, Griep ka thënë se gjatë konferencës përgatitore të Mbrojtjes në çështjen gjyqësore Shala, që u mbajt më 24 dhe 25 gusht, trupi gjykues dha një numër udhëzimesh dhe urdhrash gojorë për organizimin e paraqitjes së provave nga mbrojtja.
Ajo ka informuar se trupi gjykues urdhëroi mbrojtjen të heqë pesë emra nga lista e dëshmitarëve dhe të dorëzojë listën e rishikuar të dëshmitarëve deri më 29 gusht 2023.
Po ashtu, Griep ka thënë se dy eksperte, Karin Duhne-Prinsen dhe Çajen Lozano Parra, nga Instituti për të Drejtat e Njeriut dhe Vlerësim Mjekësor i Holandës, kanë dëshmuar në sallën e gjyqit, ndërkaq për ekspertin e tretë, Stefan Lerc, ekspert për llogaritjen e humbjeve në të ardhura tha se trupi gjykues ka vendosur të pranonte vetëm raportin me shkrim të këtij dëshmitari, ndërsa mbrojtjes iu lejua që të parashtronte pyetje ose kundërshtime me shkrim ndaj raportit.
Ndërkaq tha se seanca e ardhshme në këtë çështje gjyqësore është planifikuar për të hënën, 18 shtator, duke filluar në orën 9:30 paradite./BetimipërDrejtësi/