Ortopedi, Sami Delijaj, mjek në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka përfunduar në ndalim policor, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”. Ai u arrestua të hënën, teksa brenda afatit ligjor pritet të ushtrohet edhe kërkesa për masën e sigurisë.
Me rastin e kontrollit policor, në cilësi të provave, Policia ka sekuestruar edhe një shumë të të hollave, një telefon, si dhe disa pajisje mjekësore.
Delijaj është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, të cilët kanë deklaruar se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e tij për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Pas arrestimit të Delijajt, Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave lidhur me rastin.
“Drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore. Shkelësit e ligjit nuk kanë vend në institucionet publike shëndetësore”, njoftoi ShSKUK-ja.
Ortopedi Delijaj në vitin 2018 i ishte bashkuar partisë NISMA Socialdemokrate.
Kjo është bërë e ditur nga një postim në Facebook, i shpërndarë nga partia me 5 tetor 2018, që tregonte se kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi dhe ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, njëherësh kryetar i degës së NISMA Socialdemokrate në Prishtinë, Skender Reçica, kishin pritur në takim ortopedin Sami Delijaj.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.