Sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë, janë gjetur sot në veri. Armatimi është gjetur gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës që është zhvilluar në një bazë të armatimit në Zveçan.
Njohësi i fushës së sigurisë, Nuredin Ibishi, deklaroi se kjo tregon që grupet kriminale serbe janë të furnizuara direkt nga Qeveria e Serbisë.
“Pa hyrë në detaje, në një formë kjo tregon se ata furnizohen direkt nga Qeveria e Serbisë, pra nga forcat e armatosura të tyre, e këta marrin pjesë me forcat e armatosura të NATO-s. Kjo tregon se Serbia është e involvuar direkt jo vetëm në aspektin politik me Listën Serbe, por ushtarakisht në aspektin e involvimit në brendi të Kosovës. Në këtë mënyrë, duke i trajnuar disa ekstremist serb me qëllim që në një moment të caktuar, sipas tyre, ata mund të jenë të gatshëm për një sistem të luftës hibride”, deklaroi Ibishi në emisionin “Ditari”.
Ndërsa, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it, për të cilën Ibishi e vlerësoi si pozitive prezencën e tyre në këtë operacion policor.
“Është për tu përshëndetur prezenca e KFOR-it në këto raste, kjo tregon që këto aksione nuk janë të kurdisura, por janë realitet i një hetimi paraprak”, theksoi Ibishi.