Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Të njëjtit në shumë raste i përdorin ato për t’i kërcënuar të tjerët, e në rast edhe më të këqija, gjuajnë me to.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në rrugën “Sylejman Hadum Aga”, ku dy të rinj kanë pasur një konflikt verbal që esklaoi më pas në kanosje, për motive akoma të panjohura.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Lirak Bordoniqi dhe Rreal Xharavinën, të cilët kanë përfunduar në Polici, nën dyshimet se janë përfshirë në këtë rast, sot në orët e pasdites.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari Xharavina fillimisht e ka kanosur të dyshuarin tjetër, Bordoniqin dhe më pas ky i fundit e ka nxjerrë armën e zjarrit, me të cilën po ashtu e ka kërcënuar.
Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, të njëjtit janë arrestuar, me ç’rast janë sekuestruar dy armë të të dyshuarit, Lirak Bordoniqi, si dhe një sasi e marihuanës, që është gjetur te i dyshuara Xharavina.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve, ndërsa ka nxjerrë aktvendim policor vetëm ndaj Bordoniqit.
Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia Rajonale në Gjakovë.
“Me datën 06.09.2023, njësitet patrulluese në kuadër të Stacionit Policor në Gjakovë ju kanë përgjigjur një rasti kanosje të raportuar në rrugën “” në Gjakovë.
Zyrtarë Policorë në kuadër të këtij stacioni, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë dy të dyshuar, meshkuj kosovarë të moshës madhore. Tek njëri nga të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta të cilat dyshohet se janë përdorur në rast.
Po ashtu tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një sasi e dyshuar narkotike e llojit marihuan.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit (në koordinim me të cilin janë ndërmarr të gjitha veprimet hetimore) njëri nga të dyshuarit është ndalur në mbajtje për 48 orë.”, ka njoftuar Policia.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.