Edhe sot vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Edhe sot vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

Dëshminë në Speciale dje e ka dhënë Frederick Abrahams, nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch”. Ky është dëshmitari i 22-të deri më tani.

Dëshmia e këtij dëshmitari do të vazhdojë edhe në seancën e sotme.

Mbrojtja e Hashim Thaçit, gjatë ditës së djeshme ka kërkuar nga dëshmitari Frederick Abrahams, nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch”, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të tregojë emra të njerëzve të cilët i kanë intervistuar dhe mbi bazën e tyre kanë shkruar raporte për krimet e pretenduara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Fillimisht, dëshmitari tha se ishte praktikë e tyre të merrnin shënime në intervista të kryera në terren por se të njëjtat konsiderohen konfidenciale dhe nuk shpërndahet me të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur nga avokati Gregory Kehoe që Abrahams të jepte emra të personave që kishin shprehur frikë të flisnin për krimet e pretenduara të UÇK-së, dëshmitari tha se këtë nuk është në gjendja ta bëjë.

Ndërkaq, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson. kundërshtoi fuqishëm konstatimet e Abrahams, për “vrasjen e civilëve nga UÇK në shtator të vitit 1998”.

Gjatë marrjes në pyetje, Emmerson e detyroi Abrahamsin të pranonte se ka gabuar në raportin e tij kur ka bërë konstatime të tilla, e për më tepër, nga burime serbe që nuk i kishte hetuar e konfirmuar.

Gjyqi ndaj Thaçit dhe tre të të akuzuarve të tjerë është rasti i profilit më të lartë në Gjykatën Speciale, që lidhet me luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.

Related Articles