Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin e Turizmit të Shtetit të Izraelit, Haim Katz.
Osmani ka përshëndetur nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Kosovës dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj Deklarate në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave.
Në këtë drejtim, Osmani ka shprehur edhe nevojën që të finalizohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, i cili sipas saj, do të ndikonte në ndërveprim të shtuar në mes të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me Izraelin në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Osmani është shprehur e kënaqur me nivelin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, ndërsa ka theksuar se forcimi i mëtejmë i raporteve ndërshtetërore do të rikonfirmohet edhe gjatë vizitës zyrtare të Presidentes në Izrael, me ftesë të Presidentit Herzog.
Osmani do të zhvillojë vizitë zyrtare në Izrael, me ftesë të presidentit Herzog.