Avokati Arianit Koci, ka deklaruar se mbrëmë hetuesit e Gjykatës Speciale kanë shkuar në shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, dhe e kanë dërguar në bazën e EULEX-it në Fushë Kosovë.
Koci, i ftuar në T7, tregoi se Remin e kanë marrë para shtëpisë, pasi që nuk e kanë ftuar, ndonëse u shpreh se tashmë është i liruar pas procedurave të kryera.
Sipas tij, Remi nuk është arrestuar dhe se hetuesit nuk e kanë pyetur asgjë, pos që i është dashur ta dorëzojë telefonin e tij personal.
“Më tha e kanë marrë Remin, nuk e kanë ftuar. Por e kanë marrë. E kanë marrë para shtëpisë, në parking dhe e kanë dërguar në vendin, ku e kanë një bazë EULEX-i. Unë shkova aty, teksa u kryen veprimet, një hetues tha ‘Remi nuk është i arrestuar’. Ata e kanë marrë, se nuk ka shkuar. I kanë thanë duhesh me ardhë me neve”, tha Koci.
“Kur shkova atje, tha prit ta pyesim Remin se a pranon avokat. I thashë në rregull që kanë me liru, unë thashë me këqyr bazën ligjore, pse e kanë marrë. Sot i paskan thonë Remi, a ke nevojë për avokat. U takova sot me të, tha kanë ardhur, e kam dorëzuar telefonin. Asnjë pyetje shtesë nuk ka pasur. Telefoni kur merret prej hetuesve, duhet me pasë bazë ligjore. Siç duket, ato janë përmbushur”, shtoi ai.
“Por, nuk ia kanë bërë asnjë pyetje shtesë. Ata thanë shumë shpejtë e lirojnë, nuk është i arrestum, nuk ka nevojë për avokat, përfundoi procedura”.
Nga ana tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se nuk i komenton çështjet operacionale pasi është pyetur për ndalimin e Remit, të martën mbrëma.
“Kini parasysh që ZPS-ja nuk komenton në çështjet operacionale”, tha ZPS-ja, në një përgjigje për Paparacin.
E, Mustafa në Facebook tha se hetuesit e Gjykatës Speciale të Kosovës me urdhër të Prokurorisë mbrëmë ia kishin bërë një kontroll të telefonit, dhe më pas ai ishte lënë për t’u kthyer në shtëpi.
“Sonte rreth orës 20:00 para shtëpisë time më janë prezantuar hetuesit e Gjykatës Speciale të Kosovës me një urdhër nga prokuroria e Gjykatës Speciale për kontroll të telefonit. Gojarisht më shpjeguan se duhet të bëjmë një bisedë zyrtare në zyre të Eulexit”, shkroi ai mbrëmë.
“Personeli nga Gjykata Speciale janë sjellë me respekt. Në zyre të Eulexit më është sekuestruar telefoni im dhe posa është bërë ky kontroll pa asnjë interesim shtesë nga ana e tyre, ka përfunduar biseda dhe tani gjendem në shtëpi”.