Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë vizituar Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP.
“Me qëllim të ngritjes së nivelit të kategorive të shërbimeve, ministrja Haxhiu dhe kryeministri Kurti kanë vazhduar me një vizitë në OFAP, me ç’rast janë njoftuar për së afërmi me gjendjen e shërbimeve si dhe kanë diskutuar për politikat të cilat Qeveria e Kosovës po ndërmerr në kuadër të ngritjes së nivelit më të lartë të shërbimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ministrja Haxhiu ka theksuar se Qeveria është e përkushtuar të fuqizojë konceptin e strehimit familjar dhe konceptin e familjes strehues për fëmijët pa përkujdesje prindërore.
“Projektligji i ri për Shërbime Sociale dhe Familjare i cili është votuar në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e trajton në mënyrë specifike strehimin familjarë si formën më të mirë alternative të mbrojtjes, edukimit, strehimit dhe përkujdesjes për fëmijët”, tha ministrja Haxhiu.
Tutje, në njoftimin e bërë për media thuhet se me datë 01.06.2023 Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar vendimin përmes së cilit sigurohet mbështetje financiare për rreth 200.000 euro në vit më shumë për fëmijët të cilët gjenden në strehim familjar.
“Kjo rritje e pagesës siguron mirëqenie më të avancuar të fëmijëve dhe fuqizon konceptin e familjes strehuese si një ndër format më të mira të mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror. Përkushtimi i ynë si Qeveri do të vazhdojë që shërbimet sociale dhe familjare të zënë vend të merituar në agjendën shtetërore”, thuhet në njoftim.