Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në rrugën “Agim Prodani” në Ferizaj, ku dy prindër janë përballur me dhunë nga djali i tyre.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ky rast mjaft i rëndë ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku plasi sherri të hënën pasdite.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari D.B., i ka sulmuar fizikisht nënën dhe babanë e tij, duke i goditur me grushte, ku për pasojë iu ka shkaktuar lëndime, por edhe frikë e shqetësim të madh.
Përballë kësaj situate, ata u detyruan që ta raportojnë rastin në Polici, ku kanë treguar gjithçka që kishte ndodhur në familjen e tyre.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.