“Politikanët nuk kanë arritur të jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes”

“Politikanët nuk kanë arritur të jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes”

Politikanët nuk kanë arritur të jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Sipas tij, përgjegjësia bie mbi secilin përfaqësues politik që ta dënojë gjuhën e urrejtjes. Konjufca deklaroi se Kuvendi është në procedurën e hartimit të Kodit të Etikës, e cila sipas tij do të ndihmojë për krijimin e praktikave demokratike të komunikimit.

Kështu tha ai në konferencën “Gjuha e urrejtjes në diskursin publik”, ku mes tjerash u nënvizua se gjuha e urrejtjes në Kosovë është në rritje.

Konjufca tha po ashtu se gjuha e urrejtjes është një fenomen global, i cili po e sfidon çdo shtet të botës.

“Fatkeqësisht, ekzistojnë raste të shumta kur edhe politikanët nuk kanë arritur të jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes në diskursin publik”, deklaroi Konjufca.

Pavarësisht legjislacionit, kryeparlamentari shtoi se përvoja e deritashme ka dëshmuar nevojën për përforcimin e mekanizmave.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se gjuha e urrejtjes i prek më së shumti grupet e ndjeshme dhe se ky fenomen është i njëjtë me terrorizmin.

Sipas tij, raportet rregullative të Kosovës kanë ndërmarrë masat e duhura për të adresuar gjuhën e urrejtjes.

Me këtë rast, kryetari Glauk Konjufca ka përmendur edhe rastet kur është hasur gjuhë e urrejtjes në librat shkollor, për çka tha se janë dëshmi që nuk ka pasur kontroll e as cilësi para se të njëjtat të publikohen.

Për këtë foli edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj ku tha se janë analizuar 47 teksteve shkollore, ku është vërejtur në masë të madhe gjuha e urrejtjes.

Tutje, ai theksoi se janë në fazën përfundimtare të analizimit të gjuhës në diskursin publik, ku siç tha ai, është vërejtur gjuhë e urrejtjes nga deputetët në debatet parlamentare për Kodin Civil.

E drejtoresha e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut “YIHR”, Marigona Shabiu tha se qytetarët janë vazhdimisht dëshmitarë të një kulture fyese të debatit në Kuvend.

Edhe Shabiu ka përmendur seancën e 16 marsit ku është debatuar për Kodin Civil, ku tha se ka krijuar ndjenjë të frikës dhe pasigurisë për komunitetin LGBTI. Sipas saj, personat e njëjtë nuk po ndëshkohen dhe vazhdojnë të mbajnë pozita./KP

Related Articles