Departamenti amerikan i Shtetit ka konsideruar se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për depërshkallëzimin e situatës në Kosovë është i nevojshëm.
Zëdhënësi i DASH-it, Matt Miller, në një konferencë për media të mbajtur të martën ka thënë se për ta qetësuar situatën në veri është e nevojshme që të gjitha palët të punojnë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Kështu u shpreh ai derisa u pyet për qëndrimin e SHBA-së lidhur me propozimin që NATO-ja përmes KFOR-it të marrë kontrollin e plotë mbi veriun e Kosovës për ta parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
“Mendojmë se është e rëndësishme që të gjitha palët të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të depërshkallëzuar situatën, për të garantuar sigurinë, sundimin e ligjit dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë Miller.