Wesley Clark: Incidenti në veri të Kosovës, problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan

Wesley Clark: Incidenti në veri të Kosovës, problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Gjenerali Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, thotë se incidenti në veri të Kosovës përbën një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan.

Gjenerali Clark ka thënë se sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, është një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan dhe sipas tij, kjo duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

“Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qendrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë”, ka thënë ai.

Clark tha se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë, ndërsa u shpreh se armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe.

“Armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe. Ne i kemi parë këto lloj veprimesh edhe më parë, sepse më kujtohet se gjatë fushatë ose në fillim të fushatës ajrore të vitit 1999 në Kosovë, një grup ushtarësh serbë në rroba civile rrëmbyen tre ushtarë amerikanë të cilët ishin pjesë e patrullës në atë që sot njihet si Maqedonia e Veriut.

Ata nuk kishin uniforma ushtarake, por kaluan kufirin dhe rrëmbyen tre ushtarë amerikanë nga makina e patrullës, i rrahën dhe i dërguan në Beograd. Pra, mbetet për t’u parë se kush ishin sulmuesit në pjesën veriore të Kosovës dhe lidhet me forcat speciale dhe qeverinë serbe“, ka thënë ai për VOA.

Related Articles